Pranvera

Qepallat kur i hapi pranvera një mëngjez,
Ngadalë kurm’ i tokës nga afsh’ i saj u ndez;
Me doçkëza fërkoi jeshilin e përgjumur,
Pa siti nëpër zemra sërish ëndrën e bukur,
Si çupë faqeshpuzë shëtiti mes për mes.

Nën velin e mëndafshët, pranvera zbuloi gjinë,
Burbuqet çelën buzët, tërfilët krahët shtrinë,
E dehu gjithësinë me puthje qumështore,
Pa shtiri prush aromash plot gaz nër kraharore,
Sa zogjtë këngëtarë në mall për të u shkrinë.

Me këngë e me ngjyra natyrën e qëndisi,
Dhe ndjenjës i dha flagë dhe trupin e harlisi,
Të riun zog e bëri, dhe djalë çdo plakush,
Sikur përbrenda trupit hyn vjedhur tjetër kush,
Në mijëra vegime ndijimet gudulisi.

Atdheu shpatullgjerë, azgën e vetullzi,
Me hapa pesvjeçarin’ takim i shkon tani,
Leshtorin gjoks çkopsitur, përveshur, vajra-lyer,
Cigar’ i tij nxjerr tym, shkon duke vërshëllyer,
Për punën dhe njerinë të ëmblën melodi…

Koçi Petriti

Lirikat e majit (1962)

————

VARIANT:
Pranvera (Lirika; 2010)