XI. Abas-Aliu.

Ëngëll ! që m’uqase pranë,
        Nga i madhi Zot,
Pse më rrëfén Qerbelanë ?
        A do të derth lot ?
O moj fush’ e Qerbelasë !
        Që më rri ndër sy,
Plot me gjak, t’ Ali-Abasë ;
        Vallë ç’ësht’ ajý ?
Ç’ësht’ajý që shkon kaluar,
        Ikën si veriu,
Me dy-tri foshnja nër duar ?
        Ësht’ Abas-Aliu !
Shpije fóshnjatë në lumë,
        Se s’durojnë dot,
I ka marrë etja shumë,
        E qajnë me lot !
Ujëtë uà kanë prerë,
        Janë në shtrëngîm,
Si të varfër e të mjerë,
        Në zî, në hidhrím.
Më ç’do an’i ka rrethuar
        Kombi faqezî,
Komb’i lik i mallëkuar,
        Posi mizërí.
Në për mest të ushtërisë
        Të armikut shkon,
Si ë́ngjëll i Perëndisë,
        Nd’ erë fluturón !
Shigjetat si breshërimë
        I vinë ngadó,
Ajý po si vertëtimë
        Ikën nëpër tó.
Shërbëtor’ njerëzisë,
        Shigjeta s’e shpon
Edhé nderr’ e trimërîsë
        Zoti e mburón.
Ç’ikën ajý kal’i shkretë,
        Mi dhê nuk shkel
Nga potkonjtë q’ikën shpejtë
        Zjâr e flak’ i del !
O moj káfshëz’ e uruar,
        Mos shkel për mi dhê,
Se ‘shtë gjaku i bekuar
        Ikë nëpër rê.
Frat, o more lum’i shkretë ?
        Mos këndó, po qaj ;
Derth lot e rënkó për jetë,
        Mos qesh paskëtáj ;
Se Hysejn’e Fatimesë
        Me farët të tî,
E vranë komb’i pabesë,
        Kombi faqezî.
Abas-Aliu zu Tomorë,
        Erdhi afër nesh.
Shqipëria s’ mbet e gjorë,
        Se Zoti e desh.
Hyseni desh njerëzinë,
        Dhe për të u vrá.
Për të shpëtuar njerinë,
        Ra në Qerbelá.
Hysejni ‘shtë dashurija,
        Që fatbardhësón.
Burón soje miqësija,
        Që na lartësón.
Jeziti ‘shtë egërsirë,
        Që sjell ligësi,
Dhe s’ del soje pun’e mirë,
        Po dëm edhé zî.
Kushdó që bën mirësinë
        E ka njerëzî,
Ka besúarë Alinë
        Dhe údhën’ e tî.
Gënjeshtra ‘shtë Mavijeja,
        Që prish edhé sot.
E drejta ‘shtë Fatimeja,
        Dhe i madhi Zot.
E liga është Mervani,
        Që nxin e shkretón,
Djallëzija ‘shtë Syfjani,
        Që dhe sót dëmón.
Imámëtë dymdhjetë,
        Nga der’e Aliut,
Hoqn’e vúanë ndë jetë,
        Për nder të njeriut.
Zotërînj ! u qofsha falë !
        Që hoqtë për nê.
Na latë vetëm një fjalë,
        Për bes’e për fê.

N. H. F. [Naim Frashëri]

Luletë e verësë (1890)