Jákëni këtú o shokë,
Mblídhuni kokë për kokë,
Pini të bë́hemi trokë,
Të na shohë Perëndija !
Këtéj e tutje s’ gënjehem,
Me të rreme më̂ s’ rrëmbehem,
Dua të pî e të dehem.
Ku ‘shtë vera dhe rakija ?
O újëthit e bekuar !
Nga qjelli na ke buruar?
Zoti math të ka dërguar,
Që të çelç zë́mërnë tënë?
Lule mbijn’ tek pikón tinë,
Ti na bje fatbardhësinë
Edhé gásthin’ e gaxhinë,
Haps’i tyre t’është dhënë.
Ti neve na e bje nderrë,
Nga mendimet tuke nxjerrë,
Na fluturón në për erë,
E na pjek me Perëndinë !
Gjithë ç’ janë na mundojnë,
Shpirtin na e përvëlojnë,
Na tretin’e na kullojnë,
Vetëm ti e do njerinë.
Dashurinë duke mbjellë,
Dhe kë́ngëtë duke pjellë,
E gas të math tuke sjellë,
Mjerësija na mbulohet,
Të këqiatë harrohen,
Dhe mejtimetë s’ kujtóhen,
Edhé brengat s’ mejtohen,
Njeriu qesh e gëzohet.
Jákëni shokë të rrimë,
Rreth druvézës’ e të pimë,
Se të nésërmen s’e dimë,
Na arriti pleqëria !
Koha po shkon e më̂ s’kthehet,
Njeriu i zi gënjehet,
Me punë të rrema mérret,
Dhe e mbulon babëzia !
Gjithë jetën nukë rrojmë,
Shpírtinë pse t’e mundojmë ?
Pa qásuni të këndojmë,
Se na plasi buz’e shkretë.
Shkel e shko zëmëra ime,
Mos bjerë në hidhërime
E në breng’e në mejtime,
Mos të gënjenjë kjo jetë.
N. H. F. [Naim Frashëri]
Luletë e verësë (1890)