Marshi i Barabbajt

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Trathëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthurre, na çkule, na çduke çdo fe,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!

O stërnip i Kainit, tebdil si bari,
Ti na shtyp e na shtrydh e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qef na bën fli;
O kukuth e lubi: Hosanna, Barabba!

Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u harbofsh,
Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u shurdhofsh,
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!

O i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turpendotkundërmonjës të krrusen mbi gju,
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zemërkrundegërdhu: Hosanna, Barabba!

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Fan S. Noli

Albumi (1948)

Advertisements
Ky zë u postua te Fan S. Noli dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.