VII. Besojmë.

Besojmë Zotnë q’ësht’i vërtetë.
Se gjithë ç’ shohëm ësht’ay vetë,
Dhe falëtore kemi njerinë,
Atjéth e gjëjmë dhe Perëndinë.
Ëngjëllë dúketë vetij’e mirë,
Dhe djalli është pun’e pështirë.
Njeriu s’ vdes, po vetëm ndërrohet,
Dhe shpirt i ndyrë kurrë s’gëzohet.
Njerin’ e bëri Zoti të lirë
Po duhet kurdo të bënjë mirë
Dhe i dha mëndjen që të peshonjë,
Dhe të paudhat t’i largësonjë.
Të mos përflasë të mos qërtonjë,
Të jet’ i urtë, me nder të rronjë.
Shpirti na thotë të bëjmë mirë,
E të mos kemi kurrë dëshirë,
Për të këqia kurrë në jetë.
Të jemi t’urtë e të vërtetë.
Fort lark të jemi nga marrëzija,
E të mos rrojmë si bagëtija.
Falje ne kemi vëllazërinë
Dhe dashurinë e njerëzinë,
Se udh’e drejtë e Perëndisë,
Nuk është tjatrë, veç njerëzisë.
Po të nderojë njeriu njerinë,
E ka nderuar dhe Perëndinë.
Në zëmrët t’ënë e gjëjmë Zonë,
Shtëpi e tî ‘shtë zë́mëra jonë.
Të dil në shesh desh Zot’i vërtetë,
Bëri njerinë dhe atjé ‘shtë vetë.
Një njeri që njeh vethen e tija,
E di se ç’ është dhe Perëndija.

N. H. F. [Naim Frashëri]

Luletë e verësë (1890)