Kur shoku fle

Ti po fle, o shoku im, po fle,
Unë zgjuar numëroj gërhitjet:
S’të pengoj në ëndrat që po sheh,
Se vetmia kurrë s’më mërzitet.

Dua, kur jam vetëm, të thur vargje,
Dua përmbi letër të ndez zjarr!
Vargu im të derdhë, nëpër faqe,
Ëmbëlsin’ e shpirtit djaloshar.

Erë fryn përjashta, është natë,
Fshati fle po unë zgjuar rri.
Bisedoj me vete gjer e gjatë
Ç’kam mësuar, ç’duhet më të di.

Dhe pastaj ndër mend më vjen qyteti,
Shëtitorja mbrëmjes, ndonjë film,
Sob’ e ngrohtë, kënga e t’im eti,
Që më flet për motet plot trishtim.

Hesht një çast e bie n’ëndërime,
Për dy sy të kaltër larg, diku…
Ç’i jap krahë fantazisë sime,
Dhe atë, për pak, e sjell këtu.

Koçi Petriti

Lirikat e majit (1962)