Krishti me kamçikun

Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë
Janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,
Tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrytojnë,
Thon’ ashtu Israelin e mbrojn’ e shpëtojnë.

Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,
Dhe shkëlqejnë në kish’ e në fron me kurorë,
Vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten
Dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten.

Trathëtori dinak, hipokrit e kusar
Na u ngrit gjer në kulm’ dhe u bë kryetar;
Nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë
Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.

Çdo i shenjt’ ideal, çdo shtëpi Perëndie,
Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie:
Kush fitonte më tepër, ay ishte usta,
Dhe kush nuk plaçkitte ish krejt budalla.

Kur e pa këtë zi dhe këtë errësirë,
Krisht’i ëmbël u ndes dhe u bë i vështirë:
Me kamçik e me fshikull sarafët i dboi,
Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoi.

Dhe Shën Pjetr’ i gëzuar ahere i tha:
“Ja tani e ke nisur tamam, or usta!
Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro,
Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto.

Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,
Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar;
Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin,
Se shpirtrobi s’çlirohet askurrë pa drurin.”

Jesu Krishti s’dëgjoi, dhe s’e mori vesh mikun,
Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,
Dhe i tha: “S’e ka fajin kurrizi, po truri
Se lirin’ e sjell drita e mendjes, jo druri.”

“Merre prapë kamçikun, Shën Pjetri u përgjeq,
Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.
Përkëdhelu kurrizin dhe do të t’besojnë.
Vraji, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t’adhurojnë.”

Jesu Krishti s’dëgjoi, dhe s’e mori vesh mikun.
Dhe s’u unj përsëri që ta merrte kamçikun:
Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,
Dhe e shempnë çlironjësin, fen’ e atdhenë.

Fan S. Noli

Albumi (1948)

Advertisements