X. E zonj’e fatit.

O moj plaka lozonjare,
Që ndjek fatn’e njerëzisë,
Dhe mas’e peshë s’ ke fare,
Po me shkop të marrëzisë.
        Moj, po me ç’sy e me ç’ faqe
        Më qasesh prap’e më çfaqe ?
Të shoh që vjen po si hie,
Nga dale, si qen i qetë,
Edhé hi syvet më shtie,
T’u thaft’ ajó dor’e shkretë!
        Atá sy të zgurdulluar
        T’i shoh, o e mallëkuar.
S’je e vérbërë, si thonë,
Që s’sheh, s’ di se ç’ bën në jetë;
S’ je e shurdhër, pasha Zonë !
Dëgjon po si djalli vetë.
        Po je e keqe dhe shtrigë,
        E pabes’ e zëmërligë.
Ti fjálëtë i ke kthyer,
P’ andáj na ke përvëluar.
A! popó! ç’ na ke gënjyer!
Njerí s’ të ka trashëguar,
        Dhe kur ndrin, ndrin si lugati,
        P’andáj s’ të ka qëndrim fati.
Jakë, se jam dëshëruar,
E më s’ e durónj dot vrerë.
Qesh, mos rri e zëmëruar,
Mákar për një copë herë.
        Qesh një herë, o leshrakrënde,
        Me të qarë nuk’ udënde ?

N. H. F. [Naim Frashëri]

Luletë e verësë (1890)