Kënga pleqërishte

O këngë pleqërishte! Ti vjersh’ e Vëndit t’em!
Ti fjalë që më dhimbsesh e që më bën ujem!
Tashi jam dëshëruar së largu të më vish:
Dëgjoju, as dëgjoju! moj këngë pleqërish!

……………………………………………….

… Në hije të kasolles që nxin atje mi mal,
J-a nis me zë të shtruar… j-a mer me dal-nga-dal…
J-a thua më të dhembshur… j-a thua më të qarë…
J-a dreth e përvëluar… j-a zjen… e j-a heq zvarë…–
Pastaj fillon të ngrihesh, e nis e j-a thërret:
Dh’aq letë-e ngreh së poshti… áq fort e shpje përpjet…
Aq dyke mërmëruar me zë të parpalitur
Rënkimi-i zemrës s’ate ronitet më të ngjitur…
Sa… që nga lartësira ku vate fluturoj…
Me sulm e ulërimë këputet si përroj…
E rrjeth për tatëpjetë prej kulmit qielluar
Si breshër i thërmuar… si lot i përvëluar…
Pastaj të shuhet zëri… e rrihesh… edhe vdes:
Mjerimi-i vetëvetes të thjevi mes-për-mes:
Së felli-e pa mëshirë të thjevi dhembja jote,
Dëshir’ e varfëruar e Këngës magjiplote!

……………………………………………….

O këngë pleqërishte! O vjersh’ e Vëndit t’em!
O fjalë që më dhimbsesh, e që më bën ujem!
O mall! O psherëtimë! O vajë! O lot i zi!
O shpirt i përvëluar që qan nër syt’ e mi!
Si ngrihet që nga deti një valë-e dëshëruar:
Nga fund’ i zemrës s’ate ti ngrihesh dyke vuar;
E prapë posi vala, që bje së-rish në det:
Ti bje në fellësirën e zemërës së vet.

Lasgush Poradeci

Vdekja e nositit (1978)

Advertisements