Pranvera

Qepallat kur i hapi pranvera një mëngjes,
ngadalëz kurm’ i tokës për kurm të saj u ndez;
me puthje e përkëdheli jeshilin e përgjumur,
pa siti nëpër zemra sërish ëndrrën e bukur,
si çupë faqe-shpuzë shëtiti mes për mes.

Nën velin e mëndafshtë, pranvera zbuloi gjinë,
burbuqet çelën buzët, tërfilët krahët shtrinë,
e joshi gjithësinë me puthje qumështore,
pa shtiri dehje aromash e prush ndër kraharore,
sa zogjtë e sapokthyer në mall për të u shkrinë.

Me zëra, trille e ngjyra natyrën e qëndisi,
e ndjenjës i dha flatra dhe trupin e harlisi,
dre e bëri çdo djalosh e shpend çdo shpirt plakush.
Sikur përbrenda kurmit hyn vjedhur tjetër kush,
me ngasje mëkatare ndijimet gudulisi.

Koçi Petriti

Lirika (2010)

————

VARIANT:
Pranvera (Lirikat e majit; 1962)