Dirgjet shpesh liqeri-i kaltër
E pushon në mes të ditës,
Sipër ti buçet prej fundesh
Pasqyrim’ i ti shëndritës.
Val’ e urtë-i shtrohet anës
Dal-nga-dal e fashe-fashe,
Që prej zallit të përbujshëm
Nisen lundrat levorashe.
Po atje ku nisen lundrat,
Sipër valave paqtore,
Me rrëmbim të zemëruar
Uji hap një gjeratore:
Hap me gjëmë llaftarije
Plagë-e hon në kraharuar
Ndaj largohen sërë-sërë
Që prej zallit të shkretuar.
Lasgush Poradeci
Ylli i zemrës (1937)