Qerbelaja (pjesa 23)

    XXIII

Mervani mbleth ushtërinë,
të-tërë, q’ e kish të tinë,
edhe derdhet të lëftonjë,
mbretërinë tja mburonjë,
ishte posi mizërija,
e-shum ushtëri e tija,
po ishte për të rrëzuar
ajy fron’ i mallëkuar!
q’ e kish ngrehur djallëzija,
dhelpëri e ligësija,
ishte fron i Mavijesë!
i bushtrësë së pabesë!
ajo mbretëri e shkretë!
sa dëm kish bërë në jetë!
një Mervan i pat filluar,
një Mervan e ka mbaruar!
Duke shuarë Syfjanë
Zot i math edhe Mervanë,
përhapi gjith’ errësirën,
pruri dritën e të mirën,
Zot’ i-mir Imam-Xhaferi,
shpirt-math e zëmrë-gjeri,
nër punra s’ ish përzjerë,
dhe s’ përzjehej nonjë herë,
po i thoshte njerëzisë,
edhe gjithë miqësisë:
ç’ bën ata, ju mos e bëni,
njeriu, kur e ha qeni,
kur e ha qen’ i-tërbuar,
me dhëmbë duke kafshuar,
ajy po s’ munt t’ a kafshonjë
fajnë duhet t’ j’ a dhuronjë,
se e-liga edh’ e-mira,
njeriu dhe egërsira
qysh munt të ndahet në jetë
ndaj njeriut të vërtetë?
i-pari ynë ka thënë:
njerëzija ç’ do q’ u bënë,
juve duhetë t’ i ndjeni,
dhe mirësi të rrëfeni.
Kshu the me zemrë të-qetë,
të qofshim falë për jetë!
Abdullllahu, zot’ i-ndjerë,
që kish nip Imam-Xhaferë,
ish i-par i ushtërisë,
dhe i gjithë njerëzisë,
shumë trim ish Abdullllahu,
pa mi kry’ e kish Sefahu.
Ky burrë trim u lëshua
mi Mervanë si dragua,
ra pas dhe ushtërija,
gjithë njerëzi e tija.
Posa ishte bërë ditë,
kur u poqnë ushtëritë
nd’ anët të Fratit të shkretë,
opopo! Zot i vërtetë!
Në anët të ati lumi,
tek shkon ulërimë shumi,
sa punë kishinë ngjarë!
gjakërat dhe s’ ishin tharë!
nd’ anët të Fratit një herë
njerëzija ish përzjerë!
më njan ish Aliu vetë!
Zot’ i-math e i-vërtetë!
edhe gjithë urtësija,
mirësi e njerëzija,
më nj’ an ish Mavije djalli,
që botën në breng e kalli,
ish bashkë me djallëzitë,
e me gjithë ligësitë!
atje kordha vetëtiti,
edhe kali hingëlliti,
pa ra siprë si rrufeja,
andaj u tremp Mavijeja,
ahere rrëfeu fenë!
shiko dhelpëritë ç’ gjenë!
mi ushtët vuri kuranë!
dhelpëritë gjall e lanë!
Ah! o shtrig’ o moj e thënë!
vallë ti t’ a kishe vënë?
punët ti t’ i kesh gatuar?
apo kështu ishin shkruar!
o fat! o plaku sy flakë
nukë je dhe ti i-pakë!
Në anët të ati lumi,
që s’ e ze të shkretën shumi,
n’ ato çuka n’ ato maja,
atje është Qerbelaja!
ndë atë vënt është bërë
ajo pun e madh e tërë!
Nd’ anët t’ ati Ibrahimi
kishte marë shpagë trimi!
Njeri nër mënt s’ munt t’ i bjerë
gjithë ç’ ngjan atje një herë!
Edhe tani m atë anë
i shpu e thëna, pa vanë!
se gjithë ç’ kishinë ngjarë
tashti ishin për të larë!
prap Aliu ish më njanë!
se djali po ngjan më t’ anë,
ajy ishte Abdullllahu,
burri trim, i lumtë krahu!
lulja pshihet e del prapë,
kur vjen verëza me vapë!
ish bashkë dhe Perëndija
edhe gjithë mirësija.
Djallëzi e Mavijesë
ishte Mervan i pabesë
me të-gjitha ligësitë,
edhe dita ajo ditë!
vjen rreth e rrotullë jeta,
po puna ajo ësht’ e shkreta!
Abdullllahu me të parë
armikët, tek kishin rarë,
tha: Këtu donja dhe unë,
se këtu u nis kjo punë,
këtu dhe fundin t’ a gjenjë,
e gjithë kush t’ a rrëfenjë.
Kështu tha dhe ngriti sytë
drejt Zotit, që s’ ka të dytë,
pasdaj mblodhi ushtërinë,
e të-tërë Parësinë,
sicilën në vënt e vuri,
dhe fjalë t’ ëmbëlë zuri,
tha: Vëllezër e miq e shokë!
Zotërinj q’ u kam mi kokë,
sot i-tërë kombi ynë
nër ne ka shpresën e synë,
se e lodhi robërija,
e këputi ligësija,
pa tani rreh të shpëtonjë,
e pasdaj të lulëzonjë,
të shpëtonjë robërije,
e të dalë djallëzije.
Se dit e-bardh e lirisë
ësht’ urat e Perëndisë,
të liruarë e lanë
këtë vënt prinditë t’ anë,
po ra nër thonj të Mervanit,
në urdhërit të Syfjanit,
në xgjedhët të Mavijesë,
që s’ kish njerëzije pjesë,
e di njerëzi e tërë,
ç’ të këqija kanë bërë,
mëmëdhenë e shkretuan,
kombinë e varfëruan,
me një luftë të-paprerë,
e lanë that’ e të-mjerë,
i përzunë mirësitë
pa kallë jezitëritë
njerinë e kanë lidhur
në një kurt shumë të-hidhur,
kanë ngritur njerëzinë,
kanë vënë liqësinë,
mirësin e shpërnderuan
e dhelpërinë mësuan,
kanë shkelur Zotërinë,
duke kallur djallëzinë,
më s’ njeh as i-biri t’ anë,
as i-vëllaj të-vëllanë,
se turp në faqe s’ ka mbetur
pun e madhe na ka gjetur
kanë bërë tjatrë besë
njerëzi e Mavijesë,
besë kanë marëzinë,
për gjë s’ e zënë njerinë,
vunë lig armiqërinë,
përmbysnë vëllazërinë,
për Zot të-math zunë djallë,
edhe në mest t’ ën e kallë,
zunë djall e djallëzinë,
s’ e kujtuan Perëndinë,
kombinë në kurt e vunë,
e në hekura e shtunë,
marjen e makutërinë,
prishjen edhe babëzinë,
të-këqijat gjithë ç’ janë,
e të ligat an e mb’ anë,
në mest t’ ënë na i prunë,
me ato shikojnë punë,
e vunë kombin në xgjedhë,
sa më s’ munt mënttë t’ i mbledhë!
Ne s’ e dromë këtë punë,
pa armikëri na zunë,
për të vënë rrobërinë
janë prishur me Alinë!
kanë sharë Fatimenë!
për të ndryshuarë fenë,
për të marë kombin pranë
helmuan? Imam-Hasanë!
s’ lanë gjall njeri të mirë,
pa prunë kët errësirë,
të-gjithë prinditë t’ anë
për një të vërtetëz u vranë!
për të mirë u përpoqnë,
e brengë të madhe hoqnë!
e kam nër mënt dit e natë,
kur më rrëfente im atë
duke qarë Qerbelanë,
dhe shokët e tij e t’ anë
me syt të tij e kish parë
në Qerbela ç’ kish ngjarë
dhe atë se mos e lanë
shumë mundime i dhanë
apo mos lanë të birë,
Imam-Muhamet Bakirë
pas ati dhe të vëllanë,
Zejdin e t’ im nip Jahjanë
edhe të-tjer e të-tjerë,
të-tërë kombin e-mjerë
lëftuanë të-vërtetën,
e vunë ligë të metën
kjo brengë s’ thuhet e tërë,
vet’ e dini ç’ kanë bërë.
Tani, Zotërinjt’ e mirë!
neve me zëmrë të ngrirë
gjer kur të rrimë të qetë?
e në rrobërit të shkretë?
Yll’ i-tyre ësht’ i shuar,
Yll i shkret i mallëkuar,
njerëzija po na presën,
se nër ne e kanë shpresën,
kjo është një e madhe ditë,
njerëzis i bije dritë,
në u prishtë sot armiku,
dit e zezë vate iku,
në mbettë së-rish në jetë,
mbet kombi për jet i shkretë,
fluturoj përpjet e-mira
ndënj e liga dhe errësira!
kshu tha me zë të ëmblë plaku,
mëndje shum e fjalë paku.
Shokët shum i bënin nderë,
se kish nip Imam Xhaferë,
Abdullllahu jetë gjatë,
ay Zot i-mirë atë
kishte Zejnel Abidinë,
p’ andaj ngjante më Alinë,
gjysh kishte Imam-Hysenë,
q’ e kish mëmë Fatimenë.
Parësija shkoj në ballë,
thanë s’ kthehemi të gjallë.
Plaku kur hipi në kalë,
dukej i ri posi djalë,
pas i bije kalorija!
pa u çkul dhe këmbësija!
Gjith kush kordhënë xhveshi
pa u derdhë si rrebeshi!
po armikëtë qëndruan,
vëndinë nuk’ e lëshuan,
pa erth u ndes luft e shkretë!
luftëtarët si mbletë,
gjithë bininë të vrarë,
ndeheshinë posi trarë!
vinte gjaku si rrëketë
duke derdhur tatëpjetë!
Frat i-shkretë, duke shkuar,
vij në dett i trumbulluar!
pluhuri ngrihej përpjetë,
edhe bashkohej me retë,
luft e-zez e-mallëkuar
ishte shum e tëmëruar!
Abdullllahu ndënj më nj’ anë,
se shumë shokë j’ u vranë,
papo tha: Zot i-vërtetë!
dotë na lesh rop për jetë?
Yll i-luftës i pabesë!
mos rreh t’ i ndinç Mavijesë?
Kështu tha dhe u lëshua
mi armikët si dragua!
shokët trima bashkë vanë,
me të-math vertik u ranë,
dhe ata së rish i-pritnë,
dhe shtun e shumë goditnë,
po këta në mest u ranë,
edhe kohë më s’ u lanë!
ahere ish trimërija,
me atë bëhej çudija,
s’ kishte dalë plumb’ i-shkretë
q’ e vuri në dhet për jetë!
pa i çan’ e i përndanë,
dhe i thyen’ e i vranë!
Mos u prishtë ushtërija,
pa ikën bagëtija!
Mizërit e ushtërisë
si tufët e bagëtisë
u përhapn’ e u përndanë,
po i ndoqn e gjall s’ i lanë.
Mervani shpëtoj dhe iku!
vetëm një shigjet e pshiku
i ra kalit edhe humbi,
iku me vrap posi plumbi
të-tjerët të gjith u vranë,
djalli e shpëtoj Mervanë!
pa u arratis e iku
nukë ra në dor armiku!
Sa lëftoj mir’ Abdullllahu
o trim! më të lumtë krahu
rrith gjaku nga kordh’ e-larë
si shi përdhe duke rarë!
armikëtë si i preu,
gas të math në zëmrët ndjeu
më gjunj unjet trim i mirë!
me një të madhe dëshirë,
pa ngre sytë drejt përpjetë
thotë Zot! Zot i-vërtetë!
Zot i-math! të qofsha falë!
qeshë plak më bëre djalë
sa nder të math më dhe mua
armiku ynë u shua!
e more shpagë vetë!
Zot i math e i-vërtetë.
Më këtë vënt! te ky lumë
qenë bërë punë shumë!
këta sot të gjithë ç’ qenë
atë, që bënë e gjenë!
S’ të shpëtuanë nga dora
ti more shpag unë s’ mora
vetëzë gjith i çpërbleve!
neve kurrë s’ na gënjeve!
Kshu tha dhe u mallëngjye,
pa nga shokëtë u kthye,
tha, ju trimat e-vërtetë
latë emërë për jetë,
nderuatë Perëndinë,
shuatë jezitërinë.
Tha kshu edhe qau shumë,
lottë j’ u derdhë si lumë.
Po Mervani s’ ra në dorë,
iku e mori tërthorë!
djalli pshihej si lugati,
po s’ i kishte ndirë fati,
nga do shkont’ e tekdo vinte
një brengë udhën e zinte,
pruri rreth gjithë Syrinë,
Egjyptën e Arabinë,
herë si lipës shëndinte,
herë nëpër male rinte,
pshihej nër pyje e nër vrima,
ikënte si vetëtima,
dhe gjum’ i-zi kur e zinte,
me një sy hapurë flinte,
si ariu fletë hante,
shpirtin me pahir e mbante!
edhe thoshte unë! mbreti
të bënem kshu oh! ç’ më gjeti
po më së fundi e gjenë
edhe kokënë j’ a prenë.
Abdullllahut j’ a dërguan,
punënë kshu e mbaruan.
Po nga fisi i Syfjanit,
edhe nga far e Mervanit
këtu-këtje kishin mbetur,
të gjithë s’ kishinë vdekur,
ata të tërë u ngrinë!
s’ e linin jezitërinë
s’ e lininë marrëzinë
pa bota u ashpërua,
rrodhi gjaku si përrua,
sa s’ mbet farë pej Syfjani
pej Jeziti, pej Mervani
të gjallëtë gjith i shuan
edhe varret’ i rrëmuan!
eshtërat e Mavijesë,
të Jezitit të pabesë,
t’ ati Mervanit të parë,
q’ e kish nip Mervan gomarë
të gjithë fisit t’ atyre,
q’ ish ngaj’ e asaj myxyre,
në zjart i hodh’ e i doqnë!
se nga ata shumë hoqnë!
u shua Jezitërija
p’ ashtu shpëtoj njerëzija
gas të-math dërgoj në jetë
Zot’ i-math e i-vërtetë,
u shua armikërija,
dhe djalli e djallëzija,
kombi shpëtoj robërije,
dhe ç’ do farë ligësije.
Ç’ do të bënjë njerëzija
shpejt e gjen nga Perëndija
edhe e mira s’ harrohet,
dh’ e liga nuk mënohet,
gënjeshtra s’ munt të rronjë
nukë munt të trashëgonjë
se mbretëron e vërteta,
kshu ‘shtë që kur u bë jeta.
Të ngjarët e Qerbelasë,
punët e Ali-Abasë
janë për jetë pasqyrë,
rrëfejnë këtë mënyrë,
Zoti mësim për të dhënë
neve ato i pat thënë
e-vërteta ësht’ e-vërtetë
Ajy mbretëron për jetë.
Shokë juve mos u ndani,
këtë fjalë mënt t’ a mbani.
E patë fundi si dolli?
Zot’ i math këtuth e solli,
erth urat e Perëndisë,
i dha dritë njerëzisë,
kupëtuan ç’ vlen lirija,
q’ e humpnë nga Perëndija,
e muarrë vesh të-tërë
Mavijeja ç’ u pat bërë,
dhe Jeziti me Mervanë,
e shokëtë, që u ngjanë,
ishin në gjum e u xgjuan,
të mirën e kupëtuan
ahere e deshn’ Alinë,
deshnë Zejnel-Abidinë,
edhe Hasan’ e Hysenë,
deshnë mëmë Fatimenë,
edhe Muhamet Bakirë,
i njohnë q’ ishin të mirë,
deshnë dhe Imam-Xhaferë,
i bënë si duhej, nderë.
Sylejman-Sardi së pari,
pasdaj burr’ i-math, Myhtari,
trim i mirë, Ibrahimi,
Zot’ i-ndjer’ Eba-Myslimi,
Abdullllahu e të-tjerë,
që duallë shumë herë
burratë trima me besë
bënë të madhe shërbesë,
shërbesë për njerëzinë
shtunë poshtë ligësinë
shpëtuanë mëmëdhenë,
duke shtënë Mavijenë.

(Vazhdo leximin: pjesa 24)

Naim Frashëri

Qerbelaja (1922)