Në zemër

Në zemër kam kyçur mahnitjet
Ndaj netëve perëndimtrëndafilta,
Qiellin e spërkatur me qumësht hëne,
Qiellin e arnuar me re vënde-vënde
Ku yjet vështrojnë si nga dritare e muzgut.
…Në zemër ndiej botën e ardhme,
Dëshira të reja si vajza të lira
Që ndjellin vështrime pa frikë
Si statujat e inauguruara.

Në zemër kam kyçur dhe derte
Nga buzë të shtrydhura femre
Që sjell lumturi ndër ushtarë.
Kam shishesh me lëngun e hidhur
Që pi prostituta ndër netë
Të verë në gjumë ndërgjegjen,
Të dehë të tjerët dhe veten…
Ehu, ç’paskam kyçur në zemër…!

9 maj 1963

Koçi Petriti

Albumi i lirikave (2004)