Ândrra e jetës

[LËNDA: kap. 1: Trina; kap. 2: Zoga; kap. 3: Lokja]

————-

Trina

        I.

Molla t’ kputuna nji deget,
Dý qershija lidhë n’ nji rrfanë,
Kû fillojnë kufit e Geget
Rrijnë dý çika me nji nanë.

Krekcë e bré perzie me lisa
Rriten rrotull me çetinë,
Plepa t’ but’ e qeparisa
Mbëlojnë e veshin at ledinë.

S ushton mali prej baktijet,
S fryn murrlani me duhí ;
Paq i kthílltë prei Perendijet,
Paq prei nierit e qetí.

Gurra e lugut veç ushtote
Si lahutë me kângë kreshnike ;
E nder pêmë bylbyli këndote
Valle darsmet e fisnike.

Ngreh, bylbyl, n’ at hije valle,
Ushtò, gurrë trimneshë, n’ shkâmbije ;
Búlk i nates, kungallë, qi talle
Neper gêmba e per lamije,

Këndoni këndoni ! Veç prei stanit,
T’ ardhmen Trina mbrámje n’ shpí,
Tui blegrue nji kîj mbas zânit
T’ deles nanë keni me ndie.

Veç prei plehit gjel kokoti,
Me njat zâ qi s ndrron kurr-herë,
Ká m’ u gjegjë se â tui ndërrue moti,
Se â tui çue nji tjetrë érë.

        II.

U ndie nji zâ te shtegu :
Cicé ! del se erdh murgjina,
E mbrapa po vjen Trina
Me ‘j qingj te sykes ngryk.

E duel me mjelcë te burgu
Lokja, xuer viçin jashtë,
E shega, e létë, si kashtë,
Tui kcyemun u berlyk.

Ju suell oborrit rrotull
Tu’ u hjedhë me bisht perpjetë ;
Deri sá plaka vetë
Rrshanë tu murgjina e çoj.

Moli, tui këndue lopen,
Tui pritun viçin prórë ;
E tambli, bardh si bórë,
Permbrênda mjelcës ngufoj.

Mandej muer kîjin pezull
E u vû me syken n’ sanë,
Sá çote tamblin anë
Zoga me xé do pak.

Muer edhè krânde e cokla,
E Trinken muer per brí :
Ish lodh : i dhimte nd’ ijë,
E kishte mollzat gjak.

Vûni do krânde n’votrë
E fryni n’ zjerm qi ish ndalë ;
Thej pshesh me tambel valë,
E mbushi kupet plot.

Pshesha me kollomoqe,
T’ mirë edhè per zotni,
Kúr don per rob e shpi
Me i fal’ i madhi Zot.

E hangri Zoga shieshem,
Por Trina s hangri gjâ,
As lokja, qi ishte vrâ
Mbas çikës, nuk hangri dot.

Por tìrte ndêjë te votra,
Tui kqyrë me zêmer t’ plasun ;
Tui nduk’ at shllungë te rrasun
Ju mbushshin sýt me lot.

Kúr nji mbas nji pranë zjermit
U lodhne gjûmit fëmija,
U çue, e t’dy, si kîja,
Mbî t’shtruemen i vêndoj.

E tírte prep te votra ;
Pêj tírte per xhubleta ;
E i dukej se tu këneta,
Se n’ shpella me drangoj,

Tírshin dhè shtojzovallet
Tui luejtë pá-mêjun gishtat ;
Siellshin me pleq ferishtat,
Ndoshta edhè fëmijn’ e vet ?

E shkoj me i pá, tui pritun
Driten e pishës me dorë :
Ngrykas, si dy qellorë
Me krahë pá pupla, i gjet.

        III.

Cicé, shkâ ka sot Trinka
Qi po priton m’ u çue ?
Zgjoje me dalë me mue,
Me lëshue baktín e vet.

– Bij’, mos e prek, se njomja
Tash â tui folë me Zojen ;
Lên zân e mos çil gojen
Se e lumja Zojë t’ bertet.

Qe prifti, nanë, qe dajat
Mbas tij me qíri n’ dorë ;
Katundca me malcorë
Sá shpíja nuk i xê.

– Rri, bij’ se sunte Trinka
Po shkon me bûjtë te Zoja ;
Merri këto lule e çoja
Së lumes dhuntí per tê.

Zoga

        I.

Nper ograjë po kënojnë bylbylat
Si tu’ u prrallë me shoqi shojnë ;
Drandofilleve zymylat
T’ kandshmen erë dhuntí ju çojnë,

E nalt n’ qiell mâ e bukur hâna
Rreze t’ paqta shkon tui shkrî ;
Maje bjeshkve fillon Zâna
N’ valle shoqeve m’ u prî.

Lodhë prei végësh, prei rranjesh shpijet,
Si u bâ natë, ndêj Zoga n’ votrë ;
Ndêj m’ u xé me drû dullijet
Qi kish bâ nper mal, pá motrë !

E kuvêndte me nanë locen,
Si përgjûmshem, ndonji fjalë,
Déri sá brî votrës gocen
E muer gjûmi dal ka dalë.

Fjet brî votrës; e kúr shkëndija
Shndritte at fëtyr’ te pá travajë,
Ejëll prei qiellet ulë te shpija
Dukej faret fëtyra e sájë.

Herë n’ at gjûmë tui qeshun dukej,
Si m’ u falë herë doren çote ;
Herë permállshem n’ védi strukej
E n’ fëtyrë gjaku t’ tân’i vëlote.

(Ngrîmun n’ ár, mbi’j pullalí,
Nen balkue nji beg kish dalë ;
Holl’e i giatë porsi silví
N’ rrugë nen gardh ish dukë nji djalë.)

E nan-bardha tui shikjue
“Flej me êgjuj, thotë, o bí,
Pushò shtatin me i ndimue
Lokes s’ ate neper shpí”.

        II.

Prei nen nji tjegllet kish dalë si j trá
Kû nji mij’ tésha vëloshin pá dá ;
Permbî shpí ndîhej tui rrahun troka
                        E ushtote toka

Prei kámbësh t’bagtíve. Ká dalë Harapi
Heret, e shpatit delet ja hapi,
Ká dalun Mica me lopë te mëdhaja
                        Neper ograja.

Kúr u zgjue Zoga vojt te balkoni,
E pau se bleta vëlote te zgjoni ;
Pau se n’ at náde poshtë nji lavruer
                        Kish bâ nji shpuer.

Tui sjellun krahnin këndote me védi,
E i rridhte krahve si nji valë dédi,
Kû shndriçem dielli lëshote si zhgjeta
                        Rrezet e veta.

Rreze, flak’arit. Por rrotull fëtyra
E fushës kish ndrrue ; kish ndrruemun zyra
E bímës e e pêmve ; permbi balkue
                        Déri kish ndrrue

Érë filcigêni ; po i vîte j tjetrë
Erë : makthit ; e rruga e vjetrë
Nën shpí, mbas gardhit, por si nji dritë
                        Shkote tui qitë.

Nuk e kish vrûmun kurr nder dit t’ veta
At rrugë n’ balkue. Ktheshin me çeta
Asajt katundsit tui dalë pá prâ,
                        E ajò s kish pá.

U nis te puna merziçem. Nisi
Nder pêj sovajken, e shpata krisi,
Cirlikue rrotllat posht’ e perpjetë
                        Nen kâmbë te shpjetë.

E vojt n’ dritore prap. Ndoshta begu
Ká mbrrîe te rruga e pret te shtegu
Veshun me t’ arta, mbî j pullalí,
                        Per bukurí.

Nuk ishte begu : nen dielli t’valtë
Veç dý dallëndysha bájshin do baltë ;
Balt’ e kashtare per çérdhe t’ vet,
                        Se shën Ejëlli â nget.

Ndoshta po avitet nji djal’ i rí,
I holl’ e i giatë porsi’ j silví,
Me rryp rreth brêzit, me nji gjashtore,
                        E’ j kacatore.

Nuk erdhi djali : veç dy bylbyla,
Nji n’ drandofille, nji nder zymyla,
Permállshem thrrasin, e shoqi shojnë
                        Me kângë gazmojnë.

        III.

Vijnë dallëndyshat porsi éra
Pertè dét te çérdhja e vet ;
Vîjnë bylbylat kû prêndvéra
N’ pýje t’veshura po i thrret.

Se qe pêmët kan êndun lulet,
E u vesh fusha me blerim ;
Létas prroni malit ulet
Dá prei bórës qi i nep ushqim.

E, i dishruem, bje per fushore
Me rritë bîmen per gjithvênd,
Kû ‘j érë akullit mizore
Kishte hupë lulzim e shênd.

Edhè ti prei asáj qi t’ rriti
Dáju, vash’, e mos vajtó ;
Me nji veshë, qi kurr s ta shndriti
Paras, shtatin hijeshò.

Bashkë me lule lén dashtnija,
Me kângë t’shpêndit qi galdon ;
E prêndvéres bukurija
Bashkë prei gjûmit t’ tan’ i zgjon.

Del, o bij’ prei shpijes s’ ate,
Del prei t’ vorfenit katund ;
Njajò flakë qi n’ zêmrë pate
Do t’ percjellin tjeter-kund.

T’ pret nji zêmrë flak’ e shkëndija,
Pret me tanden m’ u bâ nji ;
Sa jetë t’ apin Perendija
Mos m’ u dámun kurr prei si.

T’ lypë nji bes’ e ta nep t’ndérshme
Dora e unâza qi t’ vên n’gisht :
E ndermjet pr’ at besë t’ gjíthhershme
 dorxan’ i Lumi Krisht.

Sogjetarë, porsi furija
E nji rrfés qi qetat shpon,
Janë të qiellit nêlt ushtrija,
E n’ dorë shpata ju veton.

E din idhun rregj Davidi,
E dijnë lott qi pá prâ qet
Kur shef morden se kositi
An’ e mb’ anë krajlnín e vet.

        IV.

E kândshme âsht hâna
Kúr del me zâna,
E n’ tokë me dritë perndaret.
Hyjzit qi shndrisin
E qi shetisin
Nper qiell, janë t’ bukur faret.

Kúr del agimi,
E rruzullimi
Me ‘j dritë kuqloshe mbëlohet,
E permbi kashta
Shndritë pika lashta,
Zêmra per máll gazmohet.

Âsht i madh shêndi
Kúr ndíhet shpêndi,
Nder pýje tui pingrue ;
E knaqshme â ‘j lule
Kúr ju perkule,
O fllad i lét, me e lmue.

Por s i giet qielli,
Nuk i giet prílli,
As fllad qi shetitë lulet
E me érna veshet,
Foshnjes qi i qeshet
Nanës, kúr mbî ‘te perkulet.

Lokja

        I.

E n’balkue mbaruene lulet :
Shurdh’ â vêndi e shpija tytë ;
Jo, me loken nji e dytë
Neper shpí mâ nuk u gjet.

Vetun zbardh’ e vetun erret
Me krye n’ hî e shumja plakë ;
Nji dorë krânde me i bâ flakë
Permbî votrë kush s ja qet.

E disprohet me vetvédi
Qi nuk bâni kurrnji djalë :
Sot e réja i kishte dalë
Bashkë me dritë per drû në shpat.

Kish mbájtë zjermin ndezë mbî votrë,
Ja kish njomë njat buk e mjera ;
Edhè Lokja me gjith tjera
Kishte dalë me petka n’ shtat.

Kish shkue motin sí prêndvéra
Me ndo’j fëmij’ tu’ e kalamêndun ;
Ishte knaqë tui e permêndun
Tash e tash ferishta n’ djep.

E disprohet ke i ve mêndja
Ór’ e ças te Trina e shkreta !
Ja lypë mórdës n’ ankime t’ veta
Por mizorja nuk ja nep.

        II.

U shty vjeshta e krisantemi
Vetun vorreve lulzon ;
Landët e pýje, gjith kû kemi,
Tui fry veri po i cungon.

Ndrron prei dimnit landa veshen,
E lëshon gjetht qi para pat ;
E, per mëshier, duhít qi ndeshen,
Ja çojnë t’ vorfnit me i bâ shtrat.

Bite bór’ e fryte véri
Tui çue akull per gjith vis ;
Nêlt orteku ushton per mnéri
Tui fundue çetin’ e lis.

Me dý cokla n’votrë plaka
Rri gjith naten e vajton ;
Rri me duer kah ndezet flaka
Porsi nieri kúr uron.

E shikjon nji dritë t’ venitun,
Vron pasqyren e jetës s’ vet :
E lerg Mórden tui kositun
E kujton e pran’ e thret.

U ndie ‘j frymë permbrênda shpijet
Porsi érë qi vjen pá shkas ;
E, n’ at muzg, nji vegim hijet
Lokes n’ votrë lét ju qas :

Permbî plaken krahët i uli,
E ngryk t’ shuemen e shterngoj ;
Buzët t’ shpulpueme n’ báll ja nguli ;
U ndal drita e ajò mbaroj.

D. Ndré Mjedja

Juvenilia (1928)