Lamtumirë

Ti po shkon, dallëndyshe, tej visesh,
Qoshkun tim e le shkretë tani;
Vogëlushe, sa fort po më dhimbsesh,
Të kam dashur si nxënsit e mi.

Fluturo ti nër qiejt e nxirë,
Ku agimet spërkaten me gjak,
Në dëgjofsh diku krisma zinxhirësh,
Zbrit flladite pak bujkun zezak.

Mos u trëmb po t’u duk vështrim-egër,
As kur zverkun t’ja shohësh të rjepur,
E ka shpirtin të bardh’ ai negër,
Helmi i jetës e bëri të vrejtur.

Lamtumirë! tej detit shko ti,
Porsi lule triumfi ngjyr’alle,
Dhe të kthehesh tek ne përsëri,
Moj shtegtare, e botës së madhe…

Koçi Petriti

Lirikat e majit (1962)