Këndeska e kënetës këlthet

Në mëngën e gjolit, ku çurka shpesh vijnë,
Marr grepin e pres fillikat,
Kur hëna, si çupë, që fsheh me turp gjinë,
Lëndinat me nur i spërkat.

Kli-kliu, kli-kliu, me britma të brishta
Këndesk’ e kënetës këlthet,
Kalimthi shkund shapka shavar e shelgjishta,
Unë ëndrrat mes ujrave tret.

Sa bëj të hedh grepin mbi faqen e pastërt,
Nën këmbët e mbledhura shuk,
Si rruspë përralle me trup t’alabastërt,
M’u shfaq një fytyrë e m’u zhduk.

Nuk bën të dremisësh mbi brigjet e jetës,
Më shkundi prej fundesh një zë,
Kli-kliu këlthiti këndesk’ e kënetës,
Veç rruspa e bukur s’erdh më.

Korçë, 17 dhjetor 1962

Koçi Petriti

Quaderni (2015)

————

VARIANT:
Balladë liqeni (Përsëri në udhë; 1967)

Advertisements