VI. Dit’ e zezë.

        Ugdhí një ditë, një dít’ e zezë,
Ëngjëllit’ gjithë me lot po qanin,
Përpara Zotit shihnin një rezë,
Rrinin tmeruar edhé zi mbanin,
        Dheu qe mbuluar me nj’errësirë,
E tërë bota ish egrësuar.
Díelli e hëna ishinë nxirë,
Qíelli ishte i trumbulluar,
        Ish bërë sterrë tej-përtêj-jeta,
E ishte një tmêr, tmêr i mërzitur,
Se kishte humbur gjith’e vërteta.
Se gjithë bota isht’e mahnitur !
        Paudhësija dhe ligësija
Ishte bërë mbret mbi dhet të shkretë,
Dhe të këqíat e e padia
Kishin zënë vënt për të vërtetë !
        Ish një mynxyrë mbi njerëzinë,
Sepsé gënjeshtra po prist’e qepte,
E kish verbuar fare njerinë,
Edh’ e vërteta po mir’ e ‘epte.
        Drítëz’e bukur e Perëndisë
Nd’ anët të rripës kishte qëndruar,
Dhe errësira e ligësisë
Nga të gjith’ ánët’ e kish rrethuar.
        Lëftón gënjeshtra me të vërtetën,
Dhe errësira dritën lëftonte,
Që t’ errësonte së gjithash jetën,
Dhe djallëzija të mbretëronte.
        Po derdhej gjaku, gjak i bekuar,
Përpara syvet të Perëndisë,
Ëngjëjtë qanin duk e tmeruar,
Qjelli kish hedhurë cipën’ e zisë.
        Yj edhé qiej ! qysh s’urrëzuatë?
E si s’ubëtë cop’ e thërrime ?
Diell’e Hënë për se qëndruatë ?
E nuk’ ubëtë si zëmra ime ?
        O Zot i jetës, shumë durove,
Shumë durove, o zëmrëgjerë,
Po na të gjorët na përvëlove,
Na përxëllite zë́mrën’e mjerë !
        Njerí i ndyrë, komb’i mërzitur,
Imám Hysenit i hedh shëgjetë ?
Nukë di se ç’bën, je i mahnitur?
E kë godit kshu ? Zotn’ e vërtetë?

N. H. F. [Naim Frashëri]

Luletë e verësë (1890)

Advertisements