I. Jeta.

Sa e dua gjithë jetën !
Se atjé gjenj të vërtetën.
Yjtë, hënën, hapësirën,
Të múgëtit, natën, ditën,
Mëngjezë, djéllinë, dritën,
Mbrëmën, dh’ atë́ errëcirën.

Natën, kur ësht’e qetuar,
Edhé gjësendi s’ dëgjonet ;
Qjellin kur ësht’i qëruar,
E hapësira ndritonet.
A kur hapen herë herë
Ret’ e zeza sterrë nd’erë.

Vapën, vjeshtën, dimrin, verën,
Retë, shinë, dhe lumenjtë,
Gjëmím, mjérgullë, përrënjtë,
Dborën, bréshërin’ e erën,
Malet, fushat edhé brigjet,
Grykat e çukat e shtigjët.

Oshëtimën, pyjet, drurët,
Shkëmbënjtë, gërxhet’ e gurët,
Lulet, bárërat që mbijnë,
E shpestë që fluturojnë,
Edhé kë́ngëra këndojnë,
E në për dega lëvrijnë.

Dhe njerin’ e bagëtinë
Dhe gjithë ç’ është në jetë
I dua si Perëndinë,
Se nga do që këthenj sytë
Shoh atjé Zotn’ e vërtetë
Q’është një e s’ka të dytë.

N. H. F. [Naim Frashëri]

Luletë e verësë (1890)

Advertisements