Dashuria ime

Të kujtohet nata pas pemës së tharë,
kur nisa të qaj, mos kush na kish parë,
kur lotët m’i fshije, shkujdesur më thoje,
për ty isha ëndërr, marrosur më doje…

Të kujtohet dita kur isha parritur,
e ëmbël më thoje, për ty kisha zbritur,
hënën të gjysmuar, vetëm kisha lënë,
nga qielli i shurdhër, mbi zemër e rënë…

Të kujtohet ora, kur dukej minutë,
dhe frymën ma vidhje të ushqeje sytë,
të heshturat duar, rrëmbeje kujtim,
përkëdhelje sillje ti pranë shtratit tim…

Të kujtohen tingujt nga unë dërguar,
melodi mëngjesesh, ëmbël për t’u zgjuar,
unë duke të pritur si lule e tharë,
gjer në fund të jetës, dashuri e parë…

Alma Papamihali

Shtegtim pulëbardhe (2009)

Advertisements