Mos më prit

… Por ti sonte mos më prit!

Edhe lumenjtë ndonjëherë
Duken sikur flenë,
Kur duan të derdhen
Dhe s’arrijnë…
Vërshojnë shpesh
E ndryshe flasin
Kur me të tyret ujëra
Këmbë-krye shkrijnë.

… Por ti sonte mos më prit!

Edhe parqeve ndonjëherë
Të lartat pemë,
Me të kuqërremtat flokë,
Vuajnë të përqafohen…
E ndërsa rrëshirë zbret
Kur degët zgjaten,
Mes tyre të preken, përpiqen,
Por më kot mundohen.

… Por ti sonte mos më prit!

Edhe natyra ndonjëherë
Në tekanjoze shndërrohet,
Kur përtueshëm diellin
Ta dhuron mbi sy…
Lotësh formon shirat,
Të tërën të mpin borës,
Por ti mos më prit,
Kur unë asnjëherë
S’jam larguar nga ty!

Alma Papamihali

Shtegtim pulëbardhe (2009)

Advertisements