Shtegtim pulëbardhe

Largohem për të mos u kthyer më,
Ndaj iki tutje, fluturoj,
Në pulëbardhë etur bregut shndërrohem,
Duke dashur, të lënit pas t’i harroj…

Por të harrosh s’mjafton gjithmonë,
Drejt qiellit të kaltër një fluturim,
Dhe pse pulëbardhë shndërruar jam,
Ka dhe shtegtime me drejtim kthim…

Drejtuar qiellit ti vazhdon sheh,
Me tëndin shpirt ndjek shtegtimin,
Kur lartësive në pikë shndërrohet,
Oh, sa i largët të duket kthimi…

Larg fluturoj, pa frikë largohem,
Sepse e ndiej që çdo shtegtim,
Sado i largët në vetvete,
Do më rikthejë pranë detit tim.

Dhe për çudi vazhdoj e ngjitem,
Aspak s’kërkoj të shoh nga pas,
E mjerë do mbetej çdo pulëbardhë,
Të huajat brigje po të trokasë…

Ndaj ngjitem lart, ndaj fluturoj,
Në pupël reje jam shndërruar,
Nëse ky qiell mbi det s’do flinte,
I imi mall do ish harruar…

Alma Papamihali

Shtegtim pulëbardhe (2009)

Advertisements