Kur qesh me ty

Nëse e nesërmja për kafe
mjegull do më servirë,
dhe mëngjesin s’do mund
ta shoh si më parë,
me ty do vazhdoj të qesh,
(unë përsëri do qesh)
aspak s’do më mbetet
shije e vrarë…

Do t’i them një dite
përsëri “mirëmëngjes”,
(të gjithëve)
dhe nëse këmbë njeriu s’do shoh,
ndodh shpesh që boshe
ditët më duken,
e netëve
fytyra të dashura njoh…

Me ty do vazhdoj
të qesh përsëri,
aq kohë,
sa mendimet lirshëm do shëtisin,
mos kujto se jetës,
gjithçka mund t’i thuash,
ndodh ndonjëherë që
ëndrra dhe guximi të braktisin…

Por unë do vazhdoj
të qesh përsëri,
dhe jehonën-zë
do pres të më rikthehet,
kur me tënden orë
të kesh arritur ti,
një ditë do ketë vdekur,
një natë do nisë të dehet…

Alma Papamihali

Shtegtim pulëbardhe (2009)

Advertisements