Dashuri e vështirë

Ti në kanape tani dremit,
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikët ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë,
Jemi ndarë shpesh në udhëtim,
Po drejt njëri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon,
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë,
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Të kam pasur ëndërr çast e orë,
Ëndërr të trishtuar e të mirë,
Po të jem vërtetë një Pitagorë,
Ti je teorema më e vështirë…

1981

Dritëro Agolli

Udhëtoj i menduar (1985)

Advertisements