Kallinjtë

Lumi gjuhën zgjat i lodhur dhe lëpin në heshtje brigjet,
Hënë e madhe sa një rrotë re më re po rrokulliset.

Erë e grurit më ka dehur, si sarhosh ec nëpër grurë
Dhe një varg që kam në buzë s’do ta hedh në letër kurrë.

Do ta flak përmbi kallinjtë, le të piqet dalngadalë,
Le ta shijnë në lëmenjtë me kombajnë apo me kalë.

Dhe në mbettë nëpër kokrrat, le të ftohet në hambarë,
Nëse s’mbetet, erë e lumit tok me bykun le ta marrë.

Nëpër grurë e anës lumit kam menduar një varg tjetër,
Kur të piqet si kallinjtë, do ta marr ta hedh në letër.

Dhe në letër, sipër vargut gruri kokrrat le t’i derdhë,
Me flori le t’i spërkatë lart nga qielli hënë e verdhë.

1983

Dritëro Agolli

Udhëtoj i menduar (1985)

Advertisements