Lopa laramane

Unë e shoh atë mes një tërfili
Tek kosit me gjuhën e argjendtë,
E lë rrugën, shkoj e zë për briri,
Sikur zë për dore një të shtrenjtë.

Në kravatën time sytë i mbetën,
Gjuhën nxjerr me mall për ta lëpirë,
Nga kjo pritje dridhem, s’e mbaj veten,
Po më puth princesha më e mirë!

Gati jam ta heq këtë kravatë
Nga këmisha ime evropiane
Dhe t’ia lidh përzemërsisht në qafë
Bukuroshes lopë laramane.

Gati jam t’ia bëj vandakë bari
Rrokjen, vargun, strofën, poezinë,
Vetëm kjo princeshë buzë ari
Det të bardhë e pastë mbretërinë.

Gati jam t’i qepem si ogiçi
Në tërfil ta ndjek e t’i puth gjurmët;
Mu-mu-mu t’i flas me rrokje viçi,
Vetëm dua pak më shumë qumësht…

1984

Dritëro Agolli

Udhëtoj i menduar (1985)

Advertisements