Më prit se po vij shpejt

Nëse sëmundja vjen tek unë,
Ju mos më shpini në spital,
Më merrni fshehur e pa zhurmë,
Më ngjitni lart diku në mal.

Atje dyshek e shtrat nuk dua
Dhe as çarçaf e as jorgan,
Por te një çezmë e te një krua
Më shtroni dushk e jargavan.

Ma lidhni kokën me një kulpër,
Ma njomni buzën në burim,
Dhe kur të vijë andej një flutur
S’ka gjë se rri mbi ballin tim.

As infermier nuk dua pranë,
As nevrolog, as profesor,
Të kem përkrah një dash të bardhë,
Të kem përbri një cjap përçor.

Të m’i lëpijë faqet dashi,
Të qajë cjapi laraman,
Ta ulë sqepin shpejt larashi
Me mors të japë telegram.

Të presë plot trishtim fshatari,
Në shkop mbështetur me mërzi,
Duke përtypur fije bari,
Duke këputur kullumbri.

Nga guvë e lisit të moshuar
Të derdhet bleta gjithë zgjim,
Mbi trupin tim e turbulluar
Si lëmsh të sillet me tërbim.

Të ndalet udhëtari i mirë,
Të pijë heshtur një duhan,
Të thotë: mjaft qëndrove shtrirë,
Për ty e gjora rrugë qan!

Dhe, ju betohem, po s’u ngrita
I madh, i bukur plot shëndet
Dhe rrugës sime nga u nisa
T’i them: më prit se po vij shpejt!…

1983

Dritëro Agolli

Udhëtoj i menduar (1985)

Advertisements