Qerbelaja (pjesa 25)

    XXV

Besuamë Perëndinë
edhe Muhammet-Alinë
Hadixhen’ e Fatimenë
Hasanë edhe Hysenë
Imamët të dy-mbë-dhjetë,
që ishinë të vërtetë.
Kemi mëm’ e at’ Alinë,
q’ e njohëm si Perëndinë,
të parë kemi Xhaferë,
nukë njohëmë të tjerë,
kemi plak mi njerëzinë
Haxhi-Bektashi-Velinë,
Zotn’ e udhës së vërtetë,
q’ ishte si Aliu vetë
se ishte nga ajo derë,
p’ andaj mori gjithë nderë.
Besa jon është një fjalë,
dh’ ajo fjalë s’ ësht’ e çalë,
është fjal’ e Perëndisë,
q’ i duhetë njerëzisë,
nukë është fjal’ e kotë,
bëj mirë mos bëj keq thotë.
Besa edhe Perëndija
është vetëm mirësija,
dhe ajy Zot i-vërtetë,
edhe gjithë ç’ ka në jetë,
te njeriu gjithë janë,
mos kërko më tjatër anë.
Po të bëjmë mirësinë
kemi ndër ne Perëndinë,
kur të bëjmë ligësitë,
kemi djall e djallëzitë,
kur të jemi të-vërtetë,
është me ne Zoti vetë.
Besojmë se Perëndija
është vetë gjithësija
fletore kemi njerinë,
dhe mëndjen e urtësinë,
sepo udh’ e Perëndisë
s’ është jashtë urtësisë.
Falje kemi njerëzinë,
miqësin’ e mirësinë,
se kur të duam njerinë,
kemi dashur Perëndinë,
s’ është lark nga njerëzija
edhe vetë Perëndija.
Falëtor e diturisë
është shesh i-gjithësisë.
Udh’ e-mir’ e bes’ e-mirë
është zemra me mëshirë,
atje ‘shtë dhe Perëndija
edh’ e tërë gjithësija,
ëngjëlli dhe mirësitë,
djalli me gjithë të titë.
Më një vënt janë të tërë,
kë të duash atë zërë,
urtësi e mirësija
na shpije te Perëndija
po të zëmë ligësinë,
dotë vemi në greminë.
Besojmë Zotn’ e vërtetë,
q’ është gjithësija vetë,
pa atë s’ ka vënt gjëkundi,
ajy ‘shtë kreji dhe fundi
më ç’ do anë, që shikojmë,
fytyrën e tij vështojmë,
e-tërë ç’ është kjo jetë,
ësht’ ajy Zot’ i vërtetë!
luletë që lulëzojnë,
bukurin’ e tij tregojnë,
ajy është trëndafili,
ajy vetë dhe bilbili,
po kur desh Zot’ i vërtetë,
të dil faqeza në jetë,
ahere bëri njerinë,
atje t’ a gjesh Perëndinë!
Kush njohu vehten e tija,
e di ç’ është Perëndija!
Te njeriu i mbaruar,
i-mir e i-lartësuar
që ka gjithë mirësitë,
e të tëra dituritë,
atje e gjen Perëndinë,
atje tek gjen mirësinë,
sepo vetë Perëndija
mori fytyrën e tija.
O njeri! të qofsha falë!
e kupëton këtë fjalë?
Pa mblith mëndjen e mendohu,
dhe ngrehu e lartësohu
duke marë dituritë,
që t’ a bësh natënë ditë,
sa të muntç ndritohu mirë
mos qëndro në errësirë,
nga njeriu i-vërtetë
s’ ka më të lartë në jetë,
se mëndje e njerëzisë
është pesh e Perëndisë.
Po njeri themi njerinë
që ka gjithë urtësinë,
ka dritën’ e dituritë,
dhe të-tëra mirësitë,
ka me vehte Perëndinë,
duke pasur njerëzinë
edhe Perëndija vetë!
te njeriu ‘sht’ e-vërtetë!
Ndaj njeriut të uruar,
që nuk’ ësht’ i djallëzuar,
q’ është pa-faj e i mirë
e ka në zëmrë mëshirë,
të këqija s’ bën në jetë,
ësht’ i-drejt e i-vërtetë
pa ka të lartë vetijë
të bukurë vetëdijë
atje është vetë Zoti,
si kanë thënë qëmoti.
Edhe ëngjëlli dhe djalli,
gjithë janë tek i-gjalli,
dhe parrajsa dhe skëterra,
dhe gjithë ç’ janë të tjera.
Pa njeriu s’ vdes në jetë,
se s’ mbetetë jeta shkretë,
gjithënjë vemi e vimë,
po të-parëtë s’ i dimë,
rron e ëma dhe i ati
tek i biri jetë gjati,
hëna hahet e venitet,
pa kthehet e përsëritet.
Po njerinë njerëzija
e shpije te Perëndija,
pa atë s’ vlen gjë në jetë
se nuk’ është i vërtetë,
e-drejta edh’ e vërteta,
ato janë pa të meta,
kur t’ i bjerë njerëzija,
mbetetë si bagëtija,
posi trëndafil’ i thatë,
q’ i mbesin gjëmbat e gjatë,
urtësit e mirësitë,
ato na nxjerrin në dritë,
pa ligësi e-pështirë
na shpije në errësirë,
se na ndan nga Perëndija,
na shtije te djallëzija.
Mëntë na i dha në kokë
Zoti, që t’ i kemi shokë,
neve kemi mënt të shohim,
të vërtetënë t’ a njohim,
pesh’ e Zotit të vërtetë
mëndje ‘shtë në këtë jetë.
Urtësit e mirësitë,
drita edhe dituritë
janë udh’ e Perëndisë,
q’ i duhenë njerëzisë.
Nuk’ e beson Perëndinë
ajy, që s’ do njerëzinë.
Zoti në zëmrë të ndyrë
s’ hyri dhe s’ ka për të hyrë,
se atje rri djalli vetë,
s’ qasetë Zot’ i-vërtetë.
Në ke në shpirtt mirësinë,
t’ a dish, që ke Perëndinë,
jo, po në ke ligësitë,
ke djallë e djallëzitë.
Si besojmë Muhamenë,
edhe mëmë-Fatimenë,
besojm’ ashtu dhe Isanë,
dhe Merjemen e Iahjanë,
edhe Isufn e Iakupnë,
dhe Ibrahimn e Ejjupnë,
Dautnë e Sylejmanë,
Harunë edhe Musanë,
edhe të tjer’ e të tjerë,
q’ ishinë njerës të-vlerë,
se për njerin u përpoqnë,
shumë të-këqija hoqnë.
Kush punon për njerëzinë,
ka me vehte Perëndinë.
A e patë Mavijenë?
dhe Mervan’ e Jezit-qenë?
Ybejdullllahn’ e Ymerë?
dhe Shimrinë dhëmbë derrë?
edhe shokët’ e atyre?
s’ shpëtuanë prej myxyre!
Paçin mallëkim e nëmë!
se prunë të madhe gjëmë!
Këta ishin egërsirë,
t’ anëtë ishin të mirë,
p’ andaj ne këta i shajmë,
për ata Zotërinj qajmë,
se ata ishinë dritë,
këta bënë ligësitë,
se ishinë të-pabesë,
pa nëmënë kanë pjesë.
Për Imamëtë ne qajmë,
zi me gjithë zëmrë mbajmë,
se ishinë të vërtetë,
pa i duamë për jetë,
ajy që bën mirësinë,
është mik me Perëndinë,
se nukë do Perëndija
kurrë punë të këqija,
ajy, që do njerëzinë,
beson Muhamet-Alinë,
Hadixhen e Fatimenë,
edhe Hasan e Hysenë.
Ajy që bën ligësitë,
ka në shpirtt jezitëritë,
ajy ‘shtë Jeziti vetë,
që bën keq në këtë jetë,
ka në zëmrët të tij djallë,
pa është Mervan i gjallë!
i-ligu nuk ësht’ i-pakë!
është Mavijeja plakë!
P’ andaj mëndjenë t’ a mbedhim,
dhe ligësitë t’ i hedhim,
e të zëmë mirësitë,
që na nxjerrënë më dritë.
Imam-Hysejnë n’ e doni,
të paudhë mos punoni,
pa ahere munt të jetë
dashurija e vërtetë,
kur të bëjmë ç’ na ka thënë,
e ç’ mënyrë na ka lënë,
të bëhemi njerës fjeshtë,
t’ urt’ e të-but’ e të leshtë,
të-këqija të mos flasim,
njeri kurrë të mos ngasim,
të mos vrasim të mos presim,
në gënjeshtrë të mos mbesim,
të mos shajm e të qërtojmë,
kurrë të mos kallëzojmë,
të mos hamë gjën e huaj,
të mos rrojmë posi buaj,
të jemi të arrësyer,
me zëmërë të pa lyer,
nakarë edhe zilinë,
vjedhjen edhe kusërinë,
dhe të-tëra ligësitë,
ndyrësit e djallëzitë,
të gjitha poshtë t’ i hedhim,
si kafshëtë të mos bredhim.
Të duam njerzinë,
Shqipëtar’ e Shqipërinë
gjuhënë e mëmëdhenë,
kombinë e vetëhenë,
mirësit e dituritë,
zotërin e urtësitë.
Të kemi vëllazërinë,
dashurin e miqësinë,
të duamë shoku shoknë
të mos e përhapim toknë,
qengji, që hiqet më nj’ anë,
egërsiratë e hanë,
të mos kemi ne të ndarë,
gjithë ç’ jemi Shqipëtarë,
po të jemi të bashkuar,
të afër e të pushtuar.
T’ i hedhimë marrëzitë,
babëzit e laturitë,
ligësin e djallëzinë
të-tërë jezitërinë.
Të kemi nder edhe besë,
dhe vëllazëri e ndjesë,
pa të punojmë të-tërë
për ç’ do punë, që do bërë
të ndritohet Shqipërija,
të na shohë Perëndija.
O vëllezrë Shqipëtarë!
Shokë të mir e të mbarë!
të përpiqemi me besë,
as një më pas të mos jesë
të mësojmë gjuhënë t’ ënë,
se Zoti na e ka dhënë,
ç’ do kombi gjuhën’ e tija
i ka dhënë Perëndija,
është lig e Perëndisë,
gjuha q’ i dha Shqipërisë,
gjithëkush ka mëmëdhenë,
edhe zogu ka folenë!
Ka edhe ajy fëmijë,
gjë s’ e ndan nga bir e bijë,
besa na thotë t’ a duash
mëmëdhenë e t’ a ruash,
gjuhën e dha Perëndija,
Zoti me të matht të tija
j’ a ka dhënë njerëzisë,
si mëma foshnjësë sisë,
s’ munt të jenë të këqija
ato, që fal Perëndija,
nuk’ i thotë këto fjalë
as i-marri që mer malë!
Dhe ju! shpesh! me gjuhët tuaj
flisni, nukë më të huaj!
ti, qyqe më këndon ndryshe
ndryshe ti, o dellëndyshe!
mua pse të më shtrëngojnë?
gjuhë tjatrë të më msojnë?
të harronj gjuhënë t’ ime!
paçin nëm e mallëkime!
kjo ‘shtë pun e Mavijesë!
m’ a paski me të-pabesë!
dashëki të më mundoni,
së gjithash të më shkretoni!
të më epni arratinë,
të më shuani shtëpinë!
të më lini rop për jetë,
të paqënë e të-shkretë
të më shtini në të huaj!
të më thoni rri e vuaj!
armikëtë të më shkelin!
posi lopë të më mjelin!
Djemthit e mij të-lëvduar
të-ndjerë e të-dëgjuar!
të më lini mua shkretë!
nukë është turp për jetë?
unë, që jam mëma juaj,
të më shitni nër të huaj!
Armikëtë rreth më vinë,
për mi krye po më rrinë!
thonjtë në grykë m’ i vunë
qysh të bënj e-mjera unë!
gjuhënë m’ a kanë prerë,
më bënë fare të mjerë!
shumë Shimër e Jezitë
po m’ i çpojnë mushkëritë,
shigjetatë për mi shpinë
posi gjëmba po më rrinë!
dhe ju djemt e mij më shihni
e bëni sikur s’ më njihni!
Kështu thotë Shqipërija!
Po s’ thot’ ashtu Perëndija
q’ i fali mënt Shqipëtarit,
punë mir’ e udhë-mbarit,
pa mbretëron e vërteta
që ka mjaltë posi mbleta,
gënjeshtëra s’ bën dot punë,
se ‘sht’ e lig edh’ e përdhunë,
helminë vetëm ka grera,
vetëm gjëmbatë ka ferra,
nuk’ është si trëndafili,
q’ e do aqe keq bilbili.
T’ ish ashtu, po prishej jeta,
s’ delte në shesht e-vërteta,
do të kishte nder Syfjani,
dhe Jeziti e Mervani,
dotë donim Mavijenë
nuk’ Alin e Fatimenë
do të kishim zot Mervanë,
s’ kishim Hysejn’ e Hasanë.
E vërteta rroft e qoftë!
pa gënjeshtëra u shoftë!
Po ne gjithë të punojmë,
të mos rrim e të përtojmë,
na dërgoj zot’ i-vërtetë
për të punuar në jetë,
punëtori ‘sht’ i-uruar,
edhe puna e lëvduar,
njerin ajo jetë gjatë
s’ e le kurrë duar-thatë.
Ne të Zottë po të jemi,
gjithë ç’ na duhen i kemi,
nukë bije Shqipërija,
ka dhe për ne Perëndija.
Ju të-varfër’ e ju Atë!
q’ u fali Zoti uratë,
pa i prutë mirë besë
Aliut e Fatimesë,
së-drejtës’ e së vërtetës,
dhe Ati Zotit të-jetës,
edhe ju vetë punoni,
Shqipërinë t’ a shpëtoni,
Shqipëtari përgjërohet
për ju dhe me ju gëzohet,
edhe ju për Shqipëtarë,
për punët të tij të mbarë
për mëmëdhethinë t’ uaj,
që nuk e kini të huaj,
për gjuhët të Shqipërisë,
q’ është gjuh’ e Perëndisë,
për të sjellë Shqipëtarë
n’ udhë të mir’ e të mbarë,
për të gjitha mirësitë,
që duhen e dituritë,
për nderthit të kombit t’ ënë,
për mbrothësit, që ka zënë,
për ç’ do gjë që ka nevojë,
e s’ thuhet dot me gojë,
për Hasan’ e për Hysenë,
për ju e për mëmëdhenë
të përpiqi nat’ e ditë,
sa të dalëmë në dritë.
Zot i math e i vërtetë
mos na lerë kurrë shkretë,
ti je zot i gjithësisë,
Perëndi e Shqipërisë,
urdhëri yt po të jetë
e po të duash ti vetë,
gjithë punëtë mbarohen,
gjëkundi nukë ndalohen.
Fali, fali Shqipërisë
gjithë ç’ ke të mirësisë.
Edhe ju gjithë të mirët!
mos na lini n’ errësirët.
Zot i math për Qerbelanë!
për Hysejn’ e për Hasanë!
për ata të dy-mbë-dhjetë!
që hoqn’ aqë keq në jetë!
për gjithë ato mundime!
për gashërimënë t’ ime!
Shqipërinë mos e lerë,
të prishetë e të bjerë,
po të jetë gjall për jetë,
gjithë ç’ i duhet t’ a ketë,
të rronj’ e të mbretëronjë,
të jetë lulez e zonjë,
fali ti vetëz uratë,
që të jetë jetë-gjatë.
Shqipëtari trim me fletë,
si ka qënë, letë jetë,
të ketë gjith urtësinë,
e t’ a dojë Shqipërinë,
të vdesë për Mëmëdhenë,
si Myhtari për Hysenë,
të ngjanjë më Ibrahimnë
edhe më Eba-Myslimnë,
të jetë trim e i mirë,
po të mos jet’ egërsirë,
të jet’ i qytetëruar,
i ditur’ e i mësuar,
t’ i apë nder Shqipërisë.
U bëftë e Perëndisë.

(fund)

Naim Frashëri

Qerbelaja (1922)

Advertisements
Ky zë u postua te Naim Frashëri dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.