Qerbelaja (pjesa 20)

    XX

Ëngjëll! xbrit nga Perëndija
e jakë nër mënt të-mija,
se dotë rrëfenj Myhtarë,
kordhëtarë trim të-parë,
Ibrahim-Maliq-Eshterë,
dhe Sylejman’ e të-tjerë,
q’ ishin burra të vërtetë,
dhe pa shok në këtë jetë,
pa pasdaj dh’ Eba-Myslimnë
burrën e-vërtetë, trimnë,
po jakë me ëmbëlsirë,
e m’ i sill në mëndje mirë.
Ishte shuarë Syfjani,
po kish mbeturë Mervani,
q’ ishte rrënj e djallëzisë
ngaj e gjithë ligësisë,
mbretëronte vetë djalli,
prapësin ajy e kalli.
Ishte shumë i-pabesë,
mos pastë nga Zoti ndjesë
po njeri nuk e dëgjonte,
se sicili mbretëronte.
Abdullllahu i Zyberit,
q’ i kish këmbët si të drerit,
kishte marrë shumë bujë,
ish bërë vëndi rrëmujë.
Ata që donin Alinë,
dhe ishin me Perëndinë,
gjakn e Imamit kërkonin,
më të gjith anët lëftonin,
po Zotn e-mirë, Myhtarë,
q’ ish nga të-gjithë mi parë,
armikët e kishin zënë,
brënda e kishin vënë,
edhe kur vranë Myslimnë
mbyllur e kishin trimnë,
dhe në myxyrët të shkretë
e mbyllë, pa s’ rrij i qetë,
ndë hekura ish ngarkuar!
e mbanin brënda në quar,
posi dragoj shkrefëtinte!
në t’ errët e sokëllinte!
Mbani mënt Maliq Eshterë?
u ngjall prapë këtë herë,
ish i-biri, Ibrahimi,
burrë si i ati trimi!
Hëna hahet e venitet,
pasdaj prapë përsëritet,
pa i ati tek i biri
pshihetë, ka thën i-miri.
Ibrahimi ishte rritur,
edhe nd’ arm ishte stërvitur,
me zëmrët të-tija fliste,
për Imamët doj të vdiste.
Sylejmani burr’ i-ndjerë,
plak mbi gjithë pleqt e tjerë
q’ ish i urt e fort i mirë,
edhe me shpirt të-pavdirë,
nat’ e dit’ ajy zot qante,
për Imamëtë zi mbante;
ky plak ishte bër i-parë
për mbi gjithë kordhëtarë,
Sylejman Sardi! o lule!
kordhën e larë ç’ e shkule!
armikëtë i përndave,
më të shumëtë i vrave!
e rrëfeve dashurinë,
që më kishe për Alinë,
dhe për mëmë-Fatimenë,
për Hasan e për Hysenë.
Njëzet mij’ u mblodhë trima,
me armë si vetëtima,
dhjetë mij ish kalorija,
edhe dhjetë këmbësija,
gjithë burra të shëndoshë,
dhe djalosh e bukuroshë,
gjithë kordhëtë i xhveshnë,
rrojtjenë më nuk e deshnë,
pa e bënë besa besë,
sicili deshi të vdesë,
së-pari të-tërë vanë,
të shininë Qerbelanë,
të shihnin vëndin e varrë,
e gjaknë, që dhe s’ ish tharrë.
Së-largu posa e panë
me sy burrat Qerbelanë,
gjithë nga kuajtë xbritnë,
edhe thirr e ulëritnë,
me gashërim shumë qanë,
puthnë dhen e përmbys ranë
me mallëngjim gjith u verdhë,
edhe kokë jasht u derdhë
gjithë ata trima shokë
hodhë pluhurë mbi kokë,
duke qar e duke vrarë,
po vininë më të parë!
Zëmëra sa vij u ngrohej,
dhe dashurija u shtohej,
kur u qasn e panë varrë
ata trima kordhëtarë,
thirrë gjith e ulëritnë,
ëngjëllitë posht i xbritnë!
rreth varrit të-tërë ranë,
e me vaj të gjithë qanë!
Sylejmani duke qarë,
u derth’ e puthi varrë,
pa tha: Djal’ i Fatimesë!
o trëndafili me vesë!
armikëtë qysh kuxuan!
të zunë e të munduan
edhe të pren e të vranë
kurcim pikë nukë lanë!
të vrau komp i pabesë
këlyshët e Mavijesë
për ne të-zest’ u përpoqe
të këqija shumë hoqe!
të la gjithë njerëzija!
i mbyti makutërija
lanë Muhamet Alinë!
edhe ty e Perëndinë!
të dhanë shumë mundime!
të-këqija hidhërime!
pse s’ u ndoth një trim me besë
për derët të Fatimesë!
t’ ishte trim, burr i-vërtetë,
të bëhej me shumë vetë,
armikëtë t’ i shkurrtonte!
edhe ty të të gëzonte!
po gjithë bota të lanë!
e armikëtë të vranë!
myxyr e madhe na gjeti!
sy e faqe më s’ na mbeti.
O ëngjëlli i vërtetë
të qofshim falë për jetë
për këtë të madhe plagë
neve sot kërkojmë shpagë
dotë vdesimë të-tërë
për këto që janë bërë
sa të vejë më gju gjaku.
Këto fjalëzë tha plaku,
ajy plaku i-uruar
me zemrë të përvëluar
nëmëronte duke qarë,
e duke puthurë varrë
lottë si krua i vinin,
nga mjekr’ e bardh i binin,
dhe shokët të-tërë qanin,
lotët s’ muntninë t’ i mbanin!
Një dit’ e një natë qanë,
pasdaj u ngrinë dhe vanë,
e lanë varr e Imamit,
muarrë udhën e Shamit,
gjithë tok e bënë benë,
as një armik të mos lenë.
Mervanit van’ e i thanë,
të madhe frikë i dhanë,
pa mbleth gjithë djallëzinë
e përhapi ushtërinë,
dolli posi mizërija
ushtëri e shkret e-tija.
Ata trimatë me besë
sipr’ u hodhë posi shpesë,
të gjithë shpatat i xhveshnë,
i dhan’ armikut rrebeshnë!
bënë fort të madhe punë
gjaknë gjer më gjut e shpunë!
mijëra herë lëftuan,
të-tër’ armikët i shuan!
me trimëri i përlanë,
pa dhe ata vetë ranë!
ra dhe Sylejmani vetë,
plaku trim, burr’ i vërtetë,
dhe ata trima që mbenë,
prapë e zunë Qofenë.
Pas këtyre dhe të-tjerë
burra, trima e të-ndjerë
duallë, si Nati-burri,
e si Muhammet Maxhuri,
dhe të-tjerë, që lëftuan,
armikëtë gjith i shuan.
Mervani nat’ edhe ditë,
po mejtonte djallëzitë,
gruanë që kish më parë
Jeziti, ky e kish marë,
kjo grua kish dhe një djalë
nga Jeziti, q’ ish i çalë,
Mervani djalën s’ e donte,
e kërkonte t’ a helmonte,
pa i mblidhen gjithë gratë,
edh’ e mbytnë një natë!
vate shpirt i-zi, i errët,
u fut brenda në skëterrët!
hyri në dhet djalli vetë,
mallëkim pastë për jetë!
Ngordhi djalli, la të birë!
q’ ish dhelpër edh’ egërsirë!
Abdul-Meliq’ i pabesë
zu këmbën e Mavijesë!
Myhtari brënda po rrinte,
si dragoj po shkrefëtinte,
këto pun’ i kish dëgjuar,
dhe shum ishte ashpëruar,
papo zëmëra i zjente,
e pushim s’ muntte të gjente,
pruri nër mënt Qerbelanë,
edhe lottë çurk i vanë!
i vanë lottë si lumi,
pa u pre dh’ e zuri gjumi.
Pugjalli i trimërisë
veshi rrobazët e zisë,
pa i erdhi përmbi krye,
në ëndërrë j’ u rrëfye,
Myhtar! Myhtar! i tha, ngrehu!
se nev’ e-zeza na preu!
oh! ç’ na ka bërë armiku!
Kështu tha dhe me vrap iku.
Myhtari u tëmërrua!
si i-ndërkryer u xgjua!
po hekurat e rrëndonin,
s’ tundej dot, se e ndalonin!
Thirri Muhammet-Alinë,
pa mblodhi gjithë fuqinë,
i ndihu dhe trimërija,
edhe vetë Perëndija.
Hekuratë duke thyer,
e muretë duke çqyer,
dolli jashtë si dragua,
fluturoj posi fajkua.
Posa e pa njerëzija,
i ra pas si mizërija.
Dhe Muhamet-Anifinë,
q’ e kishte atë Alinë,
armikët e kishin zënë,
dhe në burk e kishin vënë;
Myhtari me shok arriti,
me vrap nga burgu e qiti,
pa i tha: Ne kemi dalë,
po pej teje duam fjalë,
të-gjithë dotë lëftojmë,
sa të jemi e të rrojmë,
shpagënë s’ e le pa marë,
gjer sa të më bëjnë varrë,
gjaknë më gjut dot’ a shpije,
kalënë më not t’ a shtije,
kur e kujtonj Qerbelanë,
edhe Zotërinjtë t’ anë,
me shpatë më vjen t’ u bije
dhe yjtë përdhe t’ i shtije!
Kështu tha trim i-vërtetë!
të qofsha falë për jetë!
Muhammeti vu të parë
mi gjithë trima Myhtarë,
me Muhammet Anifinë
panë Zejnel-Abidinë,
q’ ishte drit e Perëndisë
në mesthit të njerëzisë,
e puthi në krahruar
me zëmrë të-përvëluar;
Imami i dha uratë
ati trimit jetë-gjatë.
Myhtarë tekdo e panë,
gjithë trimat pas i ranë,
kish trim mi trimat e-tjerë
Ibrahim-Maliq-Eshterë
Ibrahim! O jetë-gjatë!
se ç’ e nderove t’ ët atë!
kush besonte tjatrë herë,
t’ a shih gjall Maliq-Eshterë!
veç ajy Zot’ i-vërtetë,
që i bën punëtë vetë.
Ibrahimi me Myhtarë,
burratë trima të-parë,
me shumë shokë të-tjerë,
të gjithë trima të ndjerë,
rrojtjenë më nuk’ e donin,
gjakn e Imamit kërkonin,
fluturuanë si shpesë,
edhe ju derdhë Qofesë,
papandehurë i ranë
edh’ e zunë an e mb’ anë,
u bë rrëmujë qyteti,
u ngrit më këmbë rrëmeti,
qaninë foshnjat e gratë,
sterr ish bër e shkreta natë!
gjaku vinte posi krua,
rrith udhëvet si përrua!
erth mëngjezi, u bë dita,
e dhenë e mbuloj drita,
armikët në dhet i vunë!
qytetnë në dor e shtunë;
kshu dhe qytetet’ e-tjerë
i muarrë me një herë.
Ndënj j’ u fal Zotit së pari,
pa tha me zëmrë Myhtari:
Zot i-math! o Zot i-mirë!
mua paskëtaj mëshirë
në zëmërë mos më lerë,
urdhëri yt të m’ a ngrerë!
dua të mar mirë shpagë,
për këtë të-madhe plagë!
dotë bënj ato, që bënë
armikët për Zotnë t’ ënë!
atë, që bënë, t’ a gjejnë,
bres pas brezi t’ a rrëfejnë;
qysh i ç’ përblen Perëndija
gjithë ç’ bëjnë njerëzija!
Kshu tha dhe kërkoj uratë,
pa shturi dorën mi shpatë,
dhe tha: Shokë! më ç’ mënojmë,
tani shpagë të kërkojmë
nga gjithë ata, që vanë
në Qerbela, e gjall janë,
së pari dua Ymerë,
q’ ish i-parë mbi të-tjerë,
edhe Shimrë-Dylxhevshenë,
pa dhe të tjerët sa qenë!
Mori urdhërin’ e-tija,
dhe u përhap njerëzija.
Ymerë në dor’ e vunë!
popo lidhurë j’ a prunë!
nëpër trekt trimat e shkonin
njerëzija e vështonin.
Ku e ke, o djall i thanë
Rijën e Taberistanë?
se ti nga makutërija
bëre aqe të-këqija
lakëmimetë të tallë
s’ dinje se jeta ka shkallë
ishnje shum i math një herë!
po sot të shohëm të-mjerë!
s’ lënka gjë Zot’ i vërtetë
pa shpagë në këtë jetë.
Shum ajy, që bëka mirë
mirësija ësht’ e-pavdirë.
Ymerit këto i thanë,
gjithë bota kur e panë.
Trimat Myhtarit j’ a prunë
Ymerë dhe posht’ e vunë,
e di se ç’ ke bër’ i thanë,
edh’ e therrë posi kanë.
Pas ati Shimrinë prunë,
nëmë-madhë posht e shtunë,
pa të-tër e mallëkuan,
ç’ kishte bërë j’ a kujtuan,
pasdaj datë duke dhënë,
mijëra copë e bënë.
Pas ati Sinanë therrë
e shtrinë mbë dhe si derrë
më s’ u lanë fis e farë
s’ mbet as një syresh pa vrarë.
Pasdaj të-tjerëtë zunë,
me radhë në dhet i vunë
në Qerbela sa u ndodhë,
po-thua të-gjith i mblodhë,
dhe të-tër’ ata që qenë
bërë miq me Mavijenë,
anën e Jezitit mbanin,
edhe Imamët i shanin,
i shkurtoj Myhtari vetë,
trim’ i math e i-vërtetë
edhe prapë rrinte e qante,
mafesnë në dor e mbante,
thosh s’ lahet me gjakt të qenit
gjaku i Imam-Hysenit
pa nga Zoti mir e gjenë
më qaf e paçin vehtenë,
kush e nistë ligësinë,
e gjettë më Perëndinë,
me ato që kanë bërë,
duhet të vdesin të-tërë
as një donja, të mos linja,
të tërë në dhet t’ i vinja
Zot i math’ e i-vërtetë
të më lesh në këtë jetë
gjer sa as një të mos mbesë
nga ajy komb’ i-pabesë!
në zëmrë mos m’ ep mëshirë
se u bën të liqet mirë,
po sa t’ i mbaronj më lerë,
pasdaj vdekjenë të më ngrerë.
Këto fjalë thosh Myhtari,
i dridhej buza së qari
Qerbelanë e kujtonte!
zëmëra nuk’ i duronte!
me lot shumë duke qarë,
të-paudhët i ka vrarë.
Më të-gjith anët lëftuan,
armikëtë i shkurtuan,
të-tërë në dhet i shtunë
gjaknë për mi gjut e shpunë
mbuloj gjaku gjithë dhenë
të-tër armikët’ i prenë!
u shua far e Syfjanit
e Jezitit dh’ e Mervanit
humpnë miqt e Mavijesë,
gjithë ç’ qenë të pabesë.
Zot i math thoshte Myhtari
trim i-mir e punë-mbari,
të qofsha falë për jetë
Ti je vërtet i-vërtetë
nukë le gjë pa ç’ përblyer,
edhe zëmërë të-thyer
të-mirënë e nxjerr mirë,
mirësija ësht’ e-pavdirë,
i ligu gjen ligësinë,
edhe vete në greminë!
Ësht’ e-mirë urtësija,
mirësi e njerëzija,
është udh e Perëndisë
mirësi e njerëzisë,
po kur shtohet ligësija,
sa s’ e duron Perëndija,
bënet jeta errësirë
dhe syri s’ të sheh të mirë,
e s’ bën punë urtësija,
ësht’ e mirë trimërija,
bujku sheh gjëmbatë n’ arë,
pa i tharr sa munt më parë.
Se punënë kshu e zunë,
gjer më këtë shkall e prunë,
kshu e nisnë kshu e sosnë,
gjithë kombin e brengosnë,
i bër’ i-bir i Syfjanit,
dhe qenëri e Mervanit,
edhe të tjerë më parë
hapn’ ugar’ e hodhë farë,
hapn’ ugar ligësije
hodhë farë djallëzije,
pa e rritnë Mavijenë
madhuanë Mervan-qenë
që nga kreji kshu e nisnë,
sepo nga besa lëvisnë
fajëtor e tradhëtorë
kanë qënë nënë dorë
kushdo, q’ u bë i-pabesë,
mallëkimnë pastë pjesë.
Kështu thoshte edhe qante,
për Imamëtë zi mbante.

(Vazhdo leximin: pjesa 21)

Naim Frashëri

Qerbelaja (1922)

Advertisements
Ky zë u postua te Naim Frashëri dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.