Qerbelaja (pjesa 18)

    XVIII

Diell’ ish duke përmbysur,
dita ishte më të ngrysur,
qiell i tër ishte nxirë,
jeta ish bër’ errësirë,
e-vërteta ish drobitur,
gënjeshtra ishte rritur.
Kështu dukej në të parë,
dhe nga punë, që kish ngjarë
mbretëronte Mavijeja,
s’ kish të bënte Fatimeja,
Imam-Hysejni ish vrarë,
Jezitit i vinte mbarë,
kishte mundurë Syfjani,
edhe Shimri e Mervani,
kishin mundur Perëndinë,
edhe Muhamet Alinë.
Po kjo nuk ish e-vërtetë,
ishte nj’ e-rreme ndë jetë,
Imam-Hysejni fitonte,
dh’ e-vërteta mbretëronte,
Imam-Hysen’ ish nderuar,
Jeziti ishte shkretuar,
Hysejni mir nder për jetë,
Jeziti nëmën e-shkretë,
Hysejni kish Perëndinë,
e Jeziti djallëzinë,
për Hysejnë përgjërohen,
në dashurit afërohen,
edhe sonte njerëzija
qajnë për ngjarjet e-tija,
Jeziti me gjithë shokë
nëmënë kanë mbi kokë
dhe këtu dhe nd’ atë jetë,
dhe ndaj Zotit të-vërtetë.
Kush do Muhamet-Alinë,
edhe beson Perëndinë,
do Hasan e Fatimenë,
dhe qan për Imam-Hysenë,
nukë bën jezitërinë,
djallëzin’ e ligësinë,
se ata, që janë vrarë,
e ranë dëshmimëtarë,
ranë për një të vërtetë,
q’ ajo na nderon në jetë.
Armikët e-mallëkuar
s’ e kishinë kupëtuar,
q’ ata Zotërinj, q’ u vranë
e nderuan Qerbelanë.
Atje tek ra zoti ynë,
edhe gjithë gjak e mbynë,
vete dhe sot njerëzija,
falet nër këmbët të-tija.
O lule! moj e-vërtetë!
të qofshim falë për jetë!
Zotërinj, ju kini vuar,
neve na kini nderuar.
O vëllezrë Shqipëtarë!
pa qasuni duke qarë,
dhe mbani zi këtë ditë,
t’ u xbresë nga Zoti dritë.
Pa kujtoni Qerbelanë!
gjithë Zotërinjtë t’ anë!
Me të lënë këtë jetë
Imami, Zot i vërtetë,
Shpirt i math vate te Zoti,
tek kish qënë dhe qëmoti,
gjeti atje Perëndinë,
edhe Muhammet-Alinë,
dhe Fatimmen’ e Hasanë,
e të mirët anë mb’ anë!
të-liqtë s’ ishin përzjerë,
ishin gjithë në skëterrë,
në shum ishinë mundime,
ndë nëm’ e në mallëkime,
si cili kish një myxyrë,
e një fytyrë të-ndyrë,
njër’ ish gomar i xgjebosur,
tjatëri qen’ i kromosur,
se njerëzi s’ u kish mbetur,
vetë posht’ e kishin hedhur!
Kshu ish n’ atë të-vërtetë,
po këtu në këtë jetë
armikët ishin gëzuar,
punën e kishin mbaruar,
kishin nga Jeziti shpresë
ndaj u bënë të-pabesë!
Oh! mëndja sa i gënjente!
s’e dininë ç’ dot’ i gjente!
Imamit kali s’ i ndahej,
hingëllinte sa mënt çahej,
aqë shumë hingëllintte
sa Qerbelan e trondintte,
armikëtë gjith’ i ranë,
e goditn’ e dot s’ e vranë,
pa iku me gulçim shumë,
i-plagosur e për lumë,
erdhi e qëndroj më derë,
hingëlliti dhe një herë,
grat e varfëra e panë,
edhe të qarit j’ a dhanë!
ndënj i-qarëth e i-qetë,
i rrithte gjak tatëpjetë!
fëmija gjith u tmerrua,
dhe drejt kalit u lëshua,
me të math mallëngjim qanë,
edhe kalit kshu i thanë:
Ore kal o kal’ i-shkretë!
ç’ e bëre trimn’ e-vërtetë
ku është nder i njerëzisë!
shtyll e gjithë mirësisë!
mjerë neve! se si mbemë
edhe këtu ç’ dotë lemë!
qysh erth kjo e zezë ditë,
q’ u harruan mirësitë!
koh e-shkretë si u ndrua!
e-mira gjith’ u mërgua!
Ah! o mit’ e zeza mitë,
i bëre gjithë jezitë!
njeri mik sot-për-sot s’ mbeti!
u harua Muhammeti!
Aliu me Fatimenë!
e Hasani me Hysenë!
ç’ ka bërë makutërija!
dh’ e nëmura djallëzija!
qysh e paskemi thënë!
ç’ qe kjo për derëzët t’ ënë!
kaqe burra këtu lamë!
mjerë neve me sy ç’ pamë!
këtë mall si t’ a durojmë!
ç’ na duhetë më të rrojmë
Zot i math! o Zot i-mirë!
fal-na durim e mëshirë.
Kshu qanë me gashërima
me lot e me psherëtima.
Kali dëgjoj këto fjalë,
dhe iku e mori malë,
njeri se pa tjatrë herë
atë kalëthin e mjerë!
Grat ishinë tëmërruar
as në gjum ishinë as xgjuar,
pa thirrë: Neve ku jemi!
paskëtaj të gjallë s’ vemi!
dhe j’ u derth ushtërisë!
si rrebesh i Perëndisë!
I-huaji grat i zuri,
brënda në tëndët i shpuri,
u tha: Hyni brënda, rrini
ju dhe Zejnel-Abidini.
Ajy vetë ndënj më derë,
njeri atje të mos lerë.
Gratë donin të lëftonin,
zëmrënë dot s’ e pushonin!
Armikëtë gjith u dhanë,
bënë plaçkë gjithë ç’ panë,
s’ lanë gjë, po gjith i mblodhë,
i rropnë djajt e vodhë.
Shimri me shokë të tjerë
u lëshuan me një herë,
të-huajnë shum e shanë,
dhe atë ngadish e vranë!
po Ajy vdekjen s’ e dinte,
dor e vdekjesë s’ e zinte.
Zejnel-Abidini ku’ shtë?
than’ apo s’ del, s’ e pa ngushtë.
Nuk e kishin për të lënë,
po Zoti s’ e kishte thënë,
pa ata, q’ ishin pendohur,
fajn e math e kishin njohur,
thanë: Mjaft këto që bëmë
këta që mbenë, t’ i lemë,
në mos po dotë qëndrojmë
në mest t’ ënë të lëftojmë;
armikët u trëmpn ahere,
se mos bëheshin lëvere.
Kshu i mësoj Perëndija,
pa shpëtoj syresh fëmija.
Pasdaj u ngrit ushtërija,
pas atyre dhe fëmija,
dh’ ajy njeriu me besë,
muarr udhën e Qofesë.
Fëmija fort shumë qanë,
kur e lanë Qerbelanë.
Ç’ la atje fëmij e mjerë!
burra m’ emër e të ndjerë!
la shpresën e njerëzisë!
gjithë miqt’ e Perëndisë
gjalljenë nukë e donin!
ato vdekjenë kërkonin!
Zejnel-Abidini qante,
me gratë bashk e zi mbante
mallëngjimnë s’ e duronte,
doj të vdis e të mos shkonte.
Po ajy, që pru Hezhinë,
e zu Zejnel-Abidinë,
t’ i prure tha, Zotit besë
kushdo që lint, dotë vdesë.
Kshu tha dhe gjithë kaluar
muarr udhë duke shkuar
me zëmrë cop e thërrime,
me helm e me mallëngjime.
Ky Zot fëmijën’ e shihte,
po atë njeri s’ e njihte!
i shërbente gjithë vetë,
si shërbëtor i-vërtetë
në kohët të ligësisë
kish njeri të Perëndisë!
fëmija s’ e njeh njerinë
vallë ëngjëllit e xbrinë!
a e kish dërguar vetë
Zot’ i math e i vërtetë!
se zogut, që mbetet shkretë
dhe i varfërë në jetë,
ja bën vetëzë folenë,
mirësit e tij s’ e lenë.
U tha Zejnel-Abidini
armikëvet: Ku na shpini?
Në Qofe e në Sham, thanë,
dhe i muarr e s’ i lanë.
Unjet nga mali ndë rëza,
e vjen në fushët thëllëza,
Imamit j’ u afërua,
pa qau e u helmua,
qepnë me gjak duke ngjyer,
e këmbëtë duke lyer,
iku me vrap mori dhenë,
duke qar’ Imam-Hysenë,
i ra pas edhe pëllumbi
duke ikurë si plumbi,
me vaj e me ulërimë,
me të madhe psherëtimë,
më të-gjith’ anëtë vanë
gjëmënë miqet u dhanë.
Pëllump i-bukur me besë,
ndënj mi varrt të Fatimesë
papo qant’ e nëmëronte
nat’ e dit’ e më s’ pushonte!
Me shumë shok erth Ymeri,
po me pak u kthye derri,
se të-shumëtë u vranë,
p’ andaj shumë shokë lanë,
të vinin ndë dhet të vrarët,
q’ ishin nderë si trarët;
djajt e tyre i mbuluan,
të mirët i lan e shkuan!
Po pshattarëtë dëgjuan,
u ngrinë gjith e s’ mënuan,
burra, gra e foshnja vanë,
i mblodhë tok e i qanë,
pa me të-math nder i vunë
opopo ndë dhet se ç’ shtunë.
Armikëtë e mallëkuar
kishin marrë duke shkuar
kryethitë e Imamit!
j’ a shpinin derrit të Shamit
edhe shokëvet të tjerë
kryet’ u’ a kishin prerë,
pa dhe ato bashk i shpunë,
opopo e madhe punë.
Ymeri natën e-parë
atje tek kishinë rarë
pa n’ ëndërrë Muhammenë,
Hadixhen e Fatimenë,
Alinë edhe Musanë,
Merjemenë e Isanë,
Imam-Hasan e Abasnë,
dhe t’ anë Sadi Vekasnë.
Erdhë gjithë të-helmuar,
kokët i ngrinë nër duar,
pa i puthn e i fërkuan,
shumë qan e mallëkuan,
u dha dhe nj’ e madhe dritë,
e nata u bë si ditë,
Muhammeti duke qarë,
e kokëtë duke parë,
gjith armikët i qërtonte
u ip nëm i mallëkonte,
të-mirëtë gjithë ç’ janë,
i rrininë atje pranë
dhe një kordhëtar i-parë,
shpagë kërkonte të marë
vij një zë nga Perëndija,
edhe thosh si vetëdija:
Zoti është me të mirën
nuk është me egërsirën,
do të-drejtën, të-vërtetën,
se me ato e mban jetën
të-ligënë kush t’ a bënjë,
më së fundi dota gjenjë,
të drejtënë kush t’ a lerë,
n’ errësirë dota bjerë.
Udhën’ e-drejtë e patë,
pse s’ e mbajttë po e latë?
ajy, që bën ligësitë,
bije në të madhe shkitë,
djallëzi e ligësija
është lark nga Perëndija,
edhe gjithë djallëzitë,
s’ dalënë kurrë në dritë.
Zoti u tha të gjykoni,
me të-drejtë të punoni,
u tha të kini mëshirë,
të bëni nga-herë mirë,
të-drejtënë mos e lini,
në arrati të mos bini,
të mos lini njerëzinë,
të mos e ngisni njerinë,
mizën u tha të mos ngisni,
e ju njerëzinë vrisni!
s’ dëgjuatë Perëndinë
po bëtë zot djallëzinë
latë më nj’ anë uratën,
muartë dëmn e mëkatën
lat’ udhën e Perëndisë,
i ratë pas djallëzisë
i vajttë pas Mavijesë,
nëmënë muartë pjesë!
me djallëzi e me mitë
u bëtë gjithë Jezitë,
latë Musan’ e Harunë,
e u bëtë Firaunë,
të-tër’ u bëtë Nemrutë,
në zjart Ibrahmin’ e shtutë,
Isufnë për pak e shittë,
edhe sytë tuaj qittë.
Ajy që shet të vëllanë,
dhe vret t’ ëmënë e t’ anë,
s’ ka pjesë pej njerëzije,
edhe ndjesë Perëndije,
latë Merjemn’ e Isanë,
u bëtë ng’ ata që vranë,
latë Muhammet-Alinë,
pa bëtë Jezitërinë,
harruatë mëmëdhenë,
u bëtë me Mavijenë,
të-mirënë posht e hodhtë,
të-ligënë zut e xgjodhtë.
Po mëndja mos u gënjenjë,
Zot i-math dota çpërblenjë.
Kshu pa ëndërr atë natë,
pa u ngrit me shumë datë
dhe fjala i ndenj si thikë
në zëmër e i dha frikë.
Ushtëri e-mallëkuar
u ngrit edhe duke shkuar
vate në Qofet të shkretë,
që dotë shuhej për jetë;
bij përpara ushtërija,
pas asaj vinte fëmija.
Ybejdi, qen i skëterrës,
kishte dalë jashtë derës
jashtë derës’ së qytetit,
marë mënyrën’ e mbretit
bashkë me qen’ e-pabesë
ish njerëzi e Qofesë,
ca armik’ e të-gëzuar,
dhe ca miq e të-helmuar.
Me të-madhe kërcëllimë,
me poh’ e me shumë sqimë
hyn në Qofe ushtërija,
pastaj hyri dhe fëmija
në qytet të-mallëkuar,
që ishte për të rrëzuar.
E pa Zejnel-Abidinë
Ybejdi, që ngjan m’ Alinë,
pa shumë uzemërua,
tha, popo, fara s’ ushua.
Vat’ e ndenj në vënt të-tija
djalli vet’ e djallëzija
dhe tha, Zejnel-Abidinë
thirr-ma-ni këtu taninë.
Imami yn’ atë donte
se po vdekjenë kërkonte,
vate dhe pas shërbëtori,
nuk e la vetëm i gjori
Zejnepa u nis të vdesë
më s’ i mbeti fare shpresë
te Ybejd’ i nëmur vanë,
dhe ndenjn’ e fjalë s’ i thanë.
Ybejdi i tha: Ti grua
ç’ deshe këtu pa më thua?
Zejnepa q’ ish grua trime,
j’ u përgjiq me mallëngjime.
O ti! qen i-bir’ i qenit
jam motr’ e-Imam-Hysenit
paske dhe fjal’ e më thua!
më nëmëron mua grua!
nuk’ u pi dheu të tërë
më ç’ punë, që kini bërë
edhe më nukë pendohi
s’ kini turp të turpërohi!
djalli ju u ka verbuar!
mëndjen u ka turbulluar
pa bëni kshu të këqija!
a u shoftë Perëndija!
Kshu the! Zonj e gjithë grave
s’ at ëm’ e t’ yt et’ i ngjave.
Ishin mbledhur njerëzija
bërë posi mizërija.
Ybejdi u zëmërua,
pa shumë u sgurdullua,
dhe i tha Imamit t’ ënë:
Po ti djalë ku ke qënë?
në Qerbela pse s’ të vranë
gjall në jetë pse të lanë?
Djali pakëz u mejtua,
i tha: Pse më pyet mua?
unë vdekjenë kërkonja,
nukë donja më të rronja,
desh të më vrit ushtërija,
po më shpëtoj Perëndija,
është dor e Perëndisë,
mi duart të njerëzisë!
po pse të bëhej kjo punë?
vallë ç’ faj kisha bër’ unë?
njeriu të jet i mirë,
pa kur të jet egërsirë,
si ju e si mbreti juaj,
mirësin e ka të huaj!
mua zëmëra s’ më trëmbet,
dhe shpirti aqe s’ më dhëmbet,
gjyshn’ e t’ im ati e vratë,
dhe gjyshnë t’ im e t’ im atë!
unë, i-bir’ i-atyre!
rri kundrejt kësaj myxyre!
kini gojë, të më flisni!
këtu jam përse s’ më vrisni!
S’ qenë mjaft ata, që ranë
pa ke keq se pse më lanë?
Kshu tha djali me të qetë!
Zot i-math e i vërtetë!
bënë çudi njerëzija
nga mëndj’ e nga fjal’ e-tija.
Ybejdi u ashpërua,
edhe shum u egërsua!
thirri, merr-e-ni dh’ e vrisni!
e tani ndë dhet t’ a kllisni!
Armikët e-nëmur erdhë,
Imamit siprë j’ u derdhë!
Zejnepa me vrap e zuri,
dhe dorën sipër i vuri,
pa thirri: O të pabesë!
Komb’ i-ndyr’ i-Mavijesë!
vris-më-ni, vris-më-ni mua!
se më rrojtje nukë dua!
bini! të-paudhë! bini!
djalëthinë mos e ngini!
Tek thoshte Zejnepa fjalën,
dh’ e kish pushtuarë djalën,
pleqt’ e-vjetër e të-ndjerë,
si Erkami me të tjerë,
edhe shumë miq e trima,
që i mbuloj gashërima,
se besonin Perëndinë,
të-tërë më këmb’ u ngrinë!
në mest të tyre një burrë
thirri: Kjo s’ bënetë kurrë!
ish një djal i-holl i-gjatë,
pa vu dorënë në shpatë,
njerëzija u përzjenë,
Ybejdi e doj Qofenë,
pa u trëmp e dorë hoqi,
edhe pleqësin e ndoqi!
Zejnepa me pleqësinë
dhe me Zejnel-Abidinë
e me shërbëtorë shkuan,
nga rrezik i-math shpëtuan!
Shtëpi gati kishin bërë,
të rrij fëmija e-tërë,
n’ atë shtëpi i dërguan,
dhe botënë e ndaluan,
vunë njerës të mos lenë,
as gra as burra të venë,
pa erth u përzje qyteti,
u ngrit më këmbë rrëmeti;
Ybejdi për të qetuar
botën e për të pushuar,
Zejnel-Abidin e gratë
i nxorri gjithë me natë,
nisi pesë mijë vetë,
i dërgoj në Shamt të shkretë,
mi gjith’ ata ushtëtarë
Shimrinë vuri të-parë!
edhe Hasin’ e Zehirë
dy armikë të pështirë!

(Vazhdo leximin: pjesa 19)

Naim Frashëri

Qerbelaja (1922)

Advertisements
Ky zë u postua te Naim Frashëri dhe u etiketua si . Faqeruani permalidhjen.