Qerbelaja (pjesa 16)

    XVI

Ajy Imam’ i-vërtetë,
burri trim pa gjë të-metë,
ishte veshurë si pylli,
edhe ndrinte posi ylli,
armëtë i vetëtinin,
armikëvet frik u shtinin,
mburronjën e Hamzajt mori
dhe kordhën e t’ et përdori,
qëndroj kundrejt ushtërisë
s’ armikut të Perëndisë,
andej ish Jezitërija
këtej vetë Perëndija
qëndroj kundrejt ushtërisë
nder i gjithë njerëzisë,
pa u tha: O ju të parë!
dhe ju gjithë ushtëtarë!
që më shkruat e më prutë
pastaj luftënë më zutë,
gjithë punët ju i prishtë
këtu mua ju më grishtë,
tani më rat e më vratë,
njeri gjall nukë më latë!
U thashë, që të më lini,
më qafë të mos më bini,
pa të dal e të mar dhenë,
edhe ju të kini mbrenë!
të ikënj nga Arabija,
nga vëndi e nga shtëpija
dhe këtë nukë ma dhatë
po më pshuallt e s’ më latë,
ç’ faj u paç e ç’ u kam bërë
q’ u bët armikë të-tërë!
s’ kini turp të turpërohi?
edhe tani po s’ pendohi?
s’ më din i kujt bir jam unë
ç’ është kjo pun e përdhunë
e harruatë Alinë?
e latë pas Perëndinë?
më s’ e doni Muhammenë?
të bijënë Fatimenë?
nuk ësht ajo mëma ime?
pse s’ pattë turp as therime
gjyshi im vall u vu besë?
a i at’ i Mavijesë?
Turpëruatë dhe fenë,
dhe Kombin e mëmëdhenë,
edhe besënë e latë,
n’ arrati të-madhe ratë,
latë edhe Perëndinë,
edhe Muhammet-Alinë,
bëtë besë djallëzitë,
edhe gjithë ligësitë,
u ndatë nga njerëzija,
e nga gjithë mirësija!
Harruatë Perëndinë!
bëtë zot jezitërinë!
lat Alin e Muhammenë,
edhe zutë Mavijenë,
dhe t’ an e-tija Syfjanë,
edhe Jezitn e Mervanë,
mos s’ na shat’ a mos s’ na vratë
gjë pa bërë nukë latë.
S’ më vjen keq për derët t’ ënë
se nga Zoti kshu qe thënë,
po më vjen për Mëmëdhenë
dhe për besën’ e për fenë,
më vjen keq për njerëzinë,
që i dhatë arratinë.
Unë kurrë nukë donja,
me njerëzit të lëftonja,
as mizë s’ donja të ngisnja
jo njerëzinë të vrisnja,
vetë ju këtu më prutë,
n’ idhërim të-keq më shtutë.
Po edhe juve s’ e dini,
ç’ gjë bëni e kë godini,
se zoti u ka verbuar,
veshët ua ka shurdhuar
ju as shihni, as dëgjoni,
as e dini ç’ gjë punoni,
zëmrën e kini të-vdirë,
s’ u ka mbetur gjë e-mirë,
më vjen keq për j’ u të-mjerë
që po vini në skëterrë.
Pandehni që Muhammeti
t’ i ndihnjë këti rrëmeti,
q’ i vret fëmijën e tija,
dhe me kaqë të këqija,
kur të vini n’ atë jetë,
tek ajy zot i-vërtetë?
Kjo punë kurrë s’ harrohet
gjithënjë dotë kujtohet,
sa të jetë këjo jetë
bota nër mënt dota ketë,
kjo të liqtë dot’ i ndanjë,
të mirëtë dot’ i mbanjë,
dotë mbesë nj’ e vërtetë,
të jetë dritë për jetë,
këtë ditë neve lëmë
një nder për jet e një nëmë,
një drit e një errësirë,
një të-lig e një të-mirë.
Zoti e dha këtë dritë,
për njerinë këtë ditë,
për jet udhë t’ i rrëfenjë
me atë udhë të gjenjë.
Zoti gjetkë s’ e ka dhënë
gjer sot këtë nderë t’ ënë
vdesim për një të vërtetë
më ç’ na duhetë në jetë,
vritemi për njerëzinë
për të shpëtuar njerinë
për të mundur ligësitë,
për të nxjerrë ju në dritë
që jini në errësirë,
po vini në shkretëtirë!
Pandehni ju se fitoni!
e thoni t’ a trashëgoni!
mos e kini atë shpresë!
kjo pa shpagë s’ munt të mbesë!
për-së çpejti dota shihni,
të-drejtënë dota njihni,
këtë s’ e le Perëndija,
nuk u a la njerëzija,
ju shumë dotë pendohi,
fare dotë turpërohi,
mbajeni mënt këtë fjalë,
se së-shpejti do të dalë,
ky zjar që ndestë ju s’ shuhet,
dotë jet e dotë thuhet,
juve shtrënjt dot’ u qëndronjë,
se Zoti dot’ u mundonjë,
s’ më ngjan që t’ a trashëgoni,
po fjalën mos e harroni.
Tani pa shtini pa shtini,
ju mua gjall mos më lini,
se unë më s’ rronj në jetë,
hithni, pa hithni shigjetë!
Shokëtë gjithë m’ i vratë
mua të vetëm më latë,
pa shok unë nukë kthehem,
dotë vdes këtu të ndehem,
po bini, se unë s’ bije,
e më parë nga ju s’ shtije.
Kshu the, më të lumtë goja,
armikët i zu nevoja,
kur e pan Imam-Hysenë
u mahnitnë gjithë ç’ qenë,
shumë syresh u pendohnë,
se të vërtetën e njohnë,
ishte në shesht e-vërteta,
gënjeshtra njihej e-shkreta!
ushtëtarët u përzjenë,
kur e pan’ Imam-Hysenë,
i dëgjuan ato fjalë,
lott u vanë posi valë.
Shimr i lik me Bahterinë
edhe me gjith-faqezinë
e me shumë djaj të-tjerë,
q’ ishin armikë për herë,
ushtëtarët i qërtuan,
edhe për luft i shtrënguan,
urdhër ushtërisë i dhanë
bini të gjithë u thanë.
Ajo ushtëri e-shkretë
e-tër i-hodhë shigjetë.
Zot i math shumë durove!
armikëtë pse s’ i shove!
shigjetatë posi retë
ranë mbi trimn e-vërtetë,
diellin ato e zunë,
pa hije sipër i shtunë
po as një ng’ ato s’ e zuri,
Perëndija dorë vuri!
Kur në atë errësirë
po na vjen një trim i-mirë
kaluar ju afërua
Imam-Hysejn! s’ më njeh mua,
tha ajy trim i-vërtetë,
që s’ kish shok në këtë jetë.
Imam Hysejni e shihte,
edh’ e njihte dhe s’ e njihte!
vall ish trim pej njerëzije,
a ëngjëll pej Perëndije?
Ajy s’ ndënj, po u lëshua
mbi armikët si fajkua,
dhe u tha: o të-pabesë,
të birë e Fatimesë
juve doni t’ a godini,
dhe shigjeta i vërvini?
s’ patë turp nga njerëzija?
a u shoftë Perëndija!
Prit-më-ni, o të pabesë,
trimi sot këtu të vdesë,
tha, dhe i hyn ushtërisë
si rrebesh i Perëndisë
armikëtë u përndanë,
Zoti e di sa u vranë.
Si mbaroj ajy, që xbriti
dhe armikët i sfiliti,
u hap ajo errësirë,
mbeti vetëm Zot i mirë,
Imami i Perëndisë,
shpres’ e gjithë njerëzisë,
thirri: Delni, luftëtarë,
papo dolli një i parë
ishte Temim-Kahtabeja,
nga Shami jo nga Qofeja,
ju qas i-paudh i Shamit,
duke thënë kshu Imamit:
Këjo kurrë s’ është bërë,
me një ushtëri të-tërë
një i vetëm të lëftonjë,
të dal e t’ i turpëronjë!
Këta gjith armikë janë,
se Siffin e Nehrivanë
nuk e kanë dhe harruar,
se shumë kohë s’ ka shkuar,
të gjitha armikësitë
i përsëriti kjo ditë,
pa vështo, se ç’ janë vrarë
sot kaqe mij ushtëtarë,
njëri humbi të vëllanë,
tjatëri të bir a t’ anë,
njëri mikn a kushërinë,
sicili humbi të tinë.
Këto fjalë tha Temimi,
pa ju kthye i tha Trimi:
O i bir i-Kahtabesë,
pse u bëtë të pabesë?
dhe të-liq e dorë gjatë,
pa na shuat e na vratë!
unë s’ desha të lëftonja,
vëllazërinë kërkonja,
ju vetë këtu më prutë,
edhe j’ u luftën e zutë,
dhe im atë luftë s’ donte,
miqësinë u kërkonte,
juve punëtë i prishtë,
të këqijatë i grishtë,
i ratë pas Mavijesë,
e dualltë të-pabesë,
Jezitnë për zot e zutë,
neve shigjetë na shtutë,
dhe t’ im vëlla e t’ im atë
juve po desht’ e i vratë,
ata juve gjë s’ u bënë
shpirtin për ju kanë dhënë
juve më qafë u ratë,
me të pabes i vratë,
për mirësi u përpoqnë,
nga e mira dorë s’ hoqnë.
Pandeh ti të më tremç mua
me këto fjalë që thua?
a e di një her im atë
q’ u dha uj e ju s’ i dhatë?
pyet ahere ç’ ka thënë,
ç’ fjal për sot u ka lënë?
dritënë me sy e patë,
pasdaj ikët edh’ e latë,
u futtë në errësirë,
fort bukurë bët e mirë!
Pse më zë ngoje Siffinë!
vallë bota nuk e dinë
ahere kush e kish fajnë?
edhe sot nër mënt e mbajnë.
Në Nehrivan ju na ratë
faj nuk u kishte im atë,
ju shokët e Mavijesë
që s’ kini as turp, as besë
ju vetë e kini bërë
këtë myxyrë të-tërë.
Djemt e ati, q’ e besoni,
i vrisni e i helmoni,
juve sot jini në gjumë,
po nukë shkon kohë shumë,
kur të xgjohi, dot’ a shihni
fajnë t’ uaj dot’ a njihni,
ahere e kupëtoni,
ç’ është puna që punoni,
se kjo punë dot’ u shpjerë
në mundim të math t’ u shtjerë.
Këtë e ndan Perëndija,
edhe pas nesh njerëzija;
po tani s’ arçë për fjalë;
Këtu për vdekje kam dalë.
Kshu tha dhe kordhën e qiti
pa u hoth posi hastriti,
preu Temim Kahtabenë,
gjaku i-tij mori dhenë
gjith armikët u tmerruan,
të-tërë u turpëruan.
Ish një burrë trim me fletë
që nukë kish shok në jetë.
Zejd-Ebtahu, ajy dolli
e-thëna atje e solli,
Imamit me shpat’ i shturi
sa mundi po nuk e zuri.
Dor e-shkret’ o dor e-thatë,
e kujt i shtije me shpatë.
Imami një her i shturi,
dhe atë në dhet e vuri.
Armikëtë u mahnitnë,
edhe të-tër u çuditnë
kur e pan atë myxyrë,
gjak s’ u mbeti në fytyrë,
u tmerruanë nga frika
të gjithëve u ra pika,
njeri më nukë kuxonte,
t’ i dil kundrejt të lëftonte!
than’ Aliu u ngjall prapë,
erdhi dërrmë të na japë!
të gjithë u frikësuan,
edhe ca u turpëruan,
se fajnë që bën e njohnë,
dhe me zëmër u pendohnë!
Ymer i shtërngoj të-parët,
edhe gjithë luftëtarët,
u dha shpres e frik e fjalë,
po njeri s’ deshi të dalë,
as një s’ deshi të gënjehej,
se e dij që nuku kthehej,
s’ vij nër shokë tjatrë herë,
nisej drejt për në skëterrë;
nukë pat duk as një fjalë,
pa njeri s’ kuxoj të dalë!
Imam-Hysejni po rrinte,
njeri kundrejt nuk i vinte,
Ymeri shokët i mblodhi,
e më të-parëtë xgjodhi,
thirri Shimrë-dhil-xevshenë,
dhe të tjerëtë, sa qenë
të-liq e të-mallëkuar,
pa besë në krahruar,
u mblodhë djajtë të-tërë,
edhe fjalë duke bërë,
thanë: ësht Aliu vetë,
është trim, burr’ i-vërtetë,
sot e-tërë trimërija
është mbi vethet të-tija,
nga gjith ajy fis’ i-çquar
përmbi këto ka qëndruar!
është trim me të vërtetë,
s’ ja del dot njeri në jetë,
të mos ish tani pa ujë,
neve na bënte rrëmujë,
të mos kishte edhe zjarrë,
q’ i lanë sa kanë ngjarë,
ajy neve s’ na peshonte,
po të gjithë na shkurtonte,
udhën e lumit t’ a zëmë
me vrap pa ujë t’ a lëmë,
se në pift uj’ o të-mjerë!
një gjall nukë dotë lerë,
njeri vetëm të mos dalë,
as më këmbë as më kalë,
duhet e-tërë t’ i bjerë
ushtërija me një herë!
Këto fjal armikët thanë,
dhe ushtërin e përndanë,
një fuqi të madhe shpunë,
anën’ e lumit e zunë!
Pa Imami u lëshua
për mbi ata si fajkua.
Të keqen o kordh e-larë!
ç’ e nderove kordhëtarë!
Kali duke hingëllitur,
dhe mi ta duke vërtitur,
gjithë përpara i vuri,
kordha s’ e la gjall kë zuri!
U bë gjaku si kënetë!
si shiu, që rrjeth nga retë!
të-shumët’ atje u vranë,
të-tjerëtë u përndanë,
pa j’ u afërua lumit,
vrrap-madhit e fjalë-shumit,
ajy vinte gjithë valë,
duke thënë shumë fjalë.
Ah! O Frat! o Frat i-shkretë!
të kishe shtrohur për jetë!
Lumi vij me shumë bujë,
po s’ ish thënë të pij ujë!
një djall! mos i qoftë thënë!
thirri: Tëndët plaçk i bënë!
Imami u kthye prapë
me etj’ e me shumë vapë!
ajo s’ ish fjal e-vërtetë,
po e çpiku djalli vetë,
e-thëna dotë mbarohej,
as shtohej as pakësohej,
me zjar të-math duke kthyer,
në gjak i-tërë i-ngjyer,
vrau dhe shumë të-tjerë
Zot’ i math zëmërë-gjerë,
pa erdhi posi shkëndija,
me mall e priti fëmija!

(Vazhdo leximin: pjesa 17)

Naim Frashëri

Qerbelaja (1922)

Advertisements