Legjenda e nënës

[LËNDA: p. 1; p. 2; p. 3; p. 4; p. 5; p. 6; p. 7; p. 8; p. 9; p. 10; p. 11; p. 12; p. 13; p. 14; p. 15; p. 16; p. 17]

————

Ish dikur një nënë,
quhej Golomare,
ish dhe shtëpiake,
ish dhe luftëtare.

Thonë se Shkumbini
thur për të legjenda,
që do të rrëfehen
sa të jetë jeta.

        2.

Ç’është kjo nënë legjende,
ç’është kjo Marë e madhe,
që përjetë me djepe
rend e s’ndalet fare?

S’është Ajkuna e Mujit,
që mbi varr qan djalin,
s’është as motra e Gjergjit,
që vrapon mbath kalin?

As nëna e balladës,
ku për shamizezën,
djali u ngrit prej baltës,
për të mbajtur besën.

        3.

Është e madhja Marë,
q iu lut Gjorg atit,
mos i niste ushtarët
përtej Galigatit.

Kjo është ajo nëna,
që pa zbardhur mali,
siç na thotë gojdhëna,
i kërkoi gji djali.

Është ajo që shtiri
sytë në Shkallë Kurorë,
pa të zbriste turku
porsi flogje borë.

Pa si roja e shitur
rrinte sypërpjetë
e na shoi Sopotin,
e shofshin rrufetë!

Pa e brofi e thirri
të njëmijë të ngratat,
që të rroknin thikat,
që të rroknin shpatat.

Pa si therrej foshnja,
pa si therrej plaku,
gjer në shalë të kalit
gjol po bëhej gjaku.

Dhe rend mbi rrënoja,
rend me djep ngarkuar,
barkun gjer te goja,
furkën nëpër duar.

        4.

Rend e ndal ku ndodhet
Sofra e Skënderbeut
dhe i ngjan se Gjergji
del që thellë dheut.

Del që thellë shkëmbit,
del që thellë natës,
merr ia përkund foshnjën
përmbi djep të shpatës.

        5.

Thonë se kjo Mara,
kur ish Gjergji gjallë,
erdh gatoi e para
si amvisë e rrallë.

Erdh gatoi te Sofra
bukë për burra moti,
dhe të ngrohtë ua çonte
djemve te Sopoti.

        6.

Djem për plug e shpatë
fisi arbër pillte
dhe me plor të artë
malet desh t’i mbillte.

Një mijë luftra bëri
Arbri ditë e natë,
gjer gatoi, thotë kënga,
një parmendë të artë.

Gjergji krahërëndë,
me një grusht shqiptarë,
në rrethim dhe shkëmbin
më dysh e pat ndarë.

        7.

Por erdh dita gjëmë,
na la Skënderbeu.
Nën Pishkash parmendën
nëna Marë e fshehu…

Dhe gatoi te Sofra
bukë për burra moti
që të ngrohtë t’ua çonte
djemve te Sopoti.

Foshnjën lidhur djepit
hidhte përmbi shpinë,
gjurmën buzë shkrepit,
hijen mbi greminë.

Turravrap kalonte
nëpër pyje e vreshta,
një hap te Pishkashi,
tjetrin te Bërzeshta.

Një hap te Bërzeshta,
tjetrin te Sopoti,
një sy te Golemët,
një te Kastrioti.

Me një dorë prek Krujën,
me një Domosdovën,
çan rrëmet rrëmujën,
shkon të zgjojë Kosovën…

Rend sikur së toku
mbart njëmijë djepet,
para këtij troku
vetë vdekja stepet.

Para këtij troku
nëpër thika e shpata
ç’janë njëmijë kuaj
në një mijë ballada?

        8.

Foshnja desh të pinte,
nëna s’desh të ndalte,
gjiri i bardhë i rridhte
porsi hoje mjalte.

Gjinë e madh kalimthi
hidhte sipër supit
dhe vraponte linkthi
me vrap të pëllumbit.

Foshnja e etur zgjatej,
kapte gjinë e butë
dhe në vrap e sipër
pinte zëra lufte.

Në më lodhtë lodhja,
foshnjës i thosh Mara,
ngrehu ti mbi djepe,
shtymë me të qara!

Shtymë ti me doçka,
shtymë me të qara,
që përjetë nëna
të vrapojë përpara.

Dhe rend nëpër kohra
nëna Golomare
dhe na sjell mbi sofra
këngën sopotare.

Me një sy sheh Krujën,
me një Domosdovën,
çan rrëmet – rrëmujën,
shkon të zgjojë Kosovën…

Rend e vjen rreth Sofrës,
për të mbledhur djemtë,
por mbi djemtë e shqipes
kishin rënë rrufetë…

Arbri vritej, pritej,
nën satërë turku,
thellë parmenda rritej
si një brengë bujku.

Gjakun që lumë vinte
Sofra e thithte brenda,
për çdo farë që s’mbinte
brengosej parmenda.

Brengosej parmenda
shekull nëpër shekull,
gjer u bë, thotë kënga,
ky vargmal me hekur.

        9.

Pat pikuar gjiri,
ish spërkatur bari,
ish spërkatur plaga
e çdo luftëtari.

Plaga nën bajrakun,
përmbi brazda shtrirë
kish pikuar gjakun,
qumësht duke pirë.

Gjiri i nënës mbjellë
nëpër krisma e plisa,
shekujve pat pjellë
prapë të tjerë filiza.

Si feniks prej hirit,
që la nëna e vjetër,
çeli prushi i gjirit
i një nëne tjetër.

E prapë kish rilindur
nëna Golomare
në njëmijë të tjera
vajza e gra shqiptare.

        10.

Nënën djep pas djepi
e ndiqte tabuti,
u shëmb Ali Pasha,
ra Kara Mahmuti.

Ranë pesëqind sëpata,
prenë pesëqind lisa,
pesëqind nëna lindën
prapë pesëqind filiza…

Pesëqind nëna u gdhinë
prapë mbi pesëqind djepa,
dhe me djep mbi shpinë
rendën përmbi shkrepa…

Djali merrte emër
nga babai i vrarë,
brenda në një zemër
kish dy luftëtarë.

Njëmijë djem u rritën
dhe dymijë u bënë,
dymijë këngë u ngritën
mbi dymijë të rënë.

Mbi çdo kokë të prerë
ra përmbys një nënë,
dhe për djem të tjerë
rendi prapë shtatzënë.

        11.

Nëna e re mbi Sofër
ngrihet nga Shkumbini,
një gji ia pi Vjosa,
një gji ia pi Drini.

Brenda gjoksit kohrat
duf e dallgë i rrasën,
në një gji Naimin,
në një Pashko Vasën.

Turravrap hedh hapin
mbi rrëmet rrëmujën,
mbi një djep tund Korçën,
mbi një djep tund Krujën.

Djep pas djepi djemtë
mblidhen te Prizreni,
pas i ndjek halldupi,
Car e Bismark qeni.

Pas i ndjek Azia,
pas i ndjek Evropa,
shqipe Shqipëria
gjoksin nxjerr mbi topa.

Tre vëllezërit Frashëri,
sa për tre Tomorrë,
në tre kontinente
shkelin për një Vlorë.

Hoxhë Hasan Tahsini,
që flet me planetet,
ç’yll kërkon të zbresë
mbi gjithë alfabetet?

Shqipëri shqiponja,
nëpër terr të natës,
prish e shkruan shkronja
veç me sqep të shpatës.

Rend e merr për flatra
Ismail Qemalin,
sqep ka Boletinin
nagant proverbialin.

Ngul në vrap e sipër
gur mbi gur flamurin
dhe aty pjell Nolin,
aty Bajram Currin.

Pas e ndjek Azia,
pas e ndjek Evropa,
shqipe Shqipëria
gjoksin vë mbi topa.

Topin Mic Sokoli,
topin Selam Labi,
tankun Vojo Kushi
hop, për gryke e kapi.

        12.

Këngën që Çerçizi,
sapo e tha te Rrapi,
djali e piu me sisë,
sapo sytë i hapi.

Dhe nga gjiri i këngës
malet që zi mbanin,
pinin Skënderbeun,
villnin Ballabanin…

        13.

Nëna prapë shtatzënë
kodrat vështron thellë,
që një tjetër nënë
shekujve t’u sjellë.

Brez pas brezi djepet
tok i mblidhen rrotull,
djep i ri mbështetet
sup më sup në popull.

Edhe lufton rreptë
për gjithë Mine Pezat,
për njëzetetetë
mijë shamizezat…

        14.

Malet me dëshmorë
mbjellë gjerë e gjatë,
sipër flenë heronjtë,
poshtë plor i artë.

Po ku ndodhet vallë
kjo parmendë legjende,
që nëpër kaq shekuj
e kërkojmë e s’gjendet?

Thonë fle nën brazdë,
thonë fle nën shpellë,
Nëna thotë: Kërkoni
thellë edhe më thellë!

Një gërmon nën sofër,
tjetri thellë baltës
dhe papritur zgjohen
zërat e furrnaltës.

Llavë e artë e dheut,
plor e pushkë derdhet,
mijëra nëna rendin
nëpër mijëra çerdhe.

Le të rrjedhë çeliku
për dyfekë e plugjje!
Të pëlcasë armiku,
moj kala e kuqe!

        15.

Lufta piu prej luftës,
llava zjeu te llava,
qumësht i Teutës
rridhte te Vojsava,

qumësht i Vojsavës
rridhte te Mamica,
ranë sopotarët,
mbiu Shotë Galica.

Trëndafil i gjirit,
djegur majë Sopotit,
si feniks prej hirit
çel te nëna e Hotit.

Mara, që thellë Sofrës
fshehu plor për grurin,
çel te Marua e Vlorës,
merr qëndis flamurin.

Marua e Vlorës bëhet
Maro Podgozhani,
që me dy kobure
plot i rri gjerdani.

Rron te partizania
nëna e dymbëdhjetës,
siç jeton dhe shpata
brenda bajonetës.

Marua, burrë me huqe,
bëhet Margaritë,
ra e mbiu burbuqe,
duke mbjellë të ritë.

Lulja Margaritë
çel te Marta e Mrika,
çel e buron dritë
gjoksi i grirë me thika…

        16.

Nën dizga e tërkuza
supemavijosur
u pat plasur buza
plis më plis katosur.

Me një dorë zunë brumin,
me një në gjilpërë,
më këmbë e bënë gjumin,
oh, një jetë të tërë…

Ku është ajo grua,
kush është ajo nënë,
që fjalën “të dua”
me prush s’e pat thënë?

Kush me kurm të ngrohtë
jetën s’e pat ngrohur?
E prap mbet mbi botë
ushtare e panjohur.

***

Mes arës, uzinës,
tek çdo djep e lëmë
njerëz, heroinës,
ngrihuni më këmbë!

        17.

Nëna rend e s’ndalet,
rend me trok të hekurt,
gjirin nga vargmalet
nxjerr e pinë shekujt.

Dhe na thotë gojdhëna,
se nga gjoksi i malit,
del e rend kjo nëna
gji t’i japë djalit.

Dhe vargmali i tërë
buron shpata e plugje,
buron gjiri i nënës,
pi kjo tokë e kuqe.

1978

Koçi Petriti

Prush nëpër shekuj (1979)

————

VARIANT:
Golomarja (Firma e popullit tim; 1974)

Advertisements