Pellgu

Pellgu, pinjoll bastard i kënetës,
me dërdëllitje zhabash ushqyer,
nga që kishte veç llum brenda vetes,
nga që s’bëhej dot lumë i rrëmbyer.

Një ditë edhe shqiponjës po i thosh
gjithë fodullëk e ligësi:
ti sa më lart të fluturosh,
aq më e vogël je për sytë e mij.

Unë edhe malin, po të dua, mund ta tall,
shih si e tregoj përmbys, kokëposht…
Kur dogji dielli, mali mbeti mal,
pellgu u tha, mbeti si kafkë bosh…

Koçi Petriti

Prush nëpër shekuj (1979)

————

VARIANT:
Pellgu (Balada; 2010)

Advertisements