Qeni gjeneral

Te një han, mbi një bregshesh,
pas një lumi, nën një mal,
ju s’e dini si u vesh
qeni i Qukësit gjeneral.

Te kjo grykë, ku mbiu ky han,
pat kaluar me taborr
kushedi ç’fatih sulltan,
kushedi ç’dreq perandor.

Ka njëmijë e nëntëqind vjet,
që kur shkoi mbi urë, mbi hon,
dhe Shkumbini iu duk det
famënëmurit Neron…

Duke ikur për Bizant,
duke ardhur për Dyrrah,
s’erdhi mik asnjë prelat,
asnjë kral, asnjë pasha.

Nga që s’erdhi askush si mik
Vija Egnatia nxin përtej
si skelet prehistorik
as varrosur, as mbi dhe…

Nga kjo udhë e hon i zi
erdh u tret, e erdh u sos
dhe e tmerrshmja lukuni
e zabitit Evrenoz…

Thonë se te ky han u ndal
stambollesha me duvak,
që e solli mal më mal
kokëxhindi xhyranak.

Është ai që bëri be
t’i gjejë arrë me pesë thelpinj
dhe i tregoi për minare
nëntëdhjetë e nëntë shkëmbinj.

Tej shkëmbinjve kreshtëkuq
dukej Qafa e Thanës mal,
ku i dolli hilja huq
Natradinit proverbial.

Te ky han, te ky bregshesh,
hëngri bukë e gjet jatak
udhëtari në rrebesh
e çdo trim i dalë kaçak.

Këto male i pati shok
Shaban Blloshmi fjalëbodec,
që e mbante mbretin Zog
mes bostanit dordolec…

Ja ku erdhi te ky han
dhe një gjeneral-pasha,
i dërguar me ferman
dhe nishane të mëdha.

Thonë se ish e thonë se s’ish
nga ky vend e nga ky soj,
porse gjaku që iu shprish
gradë e famë e fron lakmoi.

Erdh me pompë e me taborr,
erdh u shtrua këmbëkryq
dhe desh sofër në oborr,
e t’i bënte fshatit gjyq.

Dhe piu verë e na u deh,
dhe nga dehja e zhegu i madh
ç’kish nishane e fermele
hop i hodhi përmbi gardh.

Dhe hanxhiu nopran dinak
se si gardhit rreth i ra,
se si e kapi një qen plak,
se si e veshi si pasha.

Se si qenin shpata e shpoi,
sesi u sul nëpër oborr,
sesi u ngrit, qenin nderoi
gjithë ai mish-mash taborr.

Pashaj s’dihet si u turr,
pashaj s’dihet ku u ndal,
vetëm dihet që iu thur
kënga e qenit-gjeneral…

Koçi Petriti

Prush nëpër shekuj (1979)

————

VARIANT:
Qeni gjeneral (Balada; 2010)

Advertisements