Balladë për Kajo Babjenin

Dhe u mblodhën gjithë gorarët
kokë më kokë që nga larg,
mjekra e bardhë e Kajos krihej
porsi mjegull mbi jatak.

Kajua njerëzit vështroi rrotull,
më kurriz mbi bërryla u ngrit
dhe një zë lëshoi në popull
para se të jepte shpirt.

Po ju lë një amanet,
ta mbajë vesh gjithë Gorë-Opari,
lermëni nja dy-tre vjet,
gjersa të më shtrohet varri.

Dhe po qe se s’më mbin bar
dhe po qe se s’digjem nur,
të më ndyni përmbi varr,
mos më gdhendni asnjë gur.

Në vërtet kam qenë trim,
por s’kam qenë për fukarenj,
le të shuhet varri im
grryer nga njëqind përrenj…

Dhe vërtet s’iu shua varri
si kandil nëpër tufan,
i këndon gjithë Gorë-Opari
baba Kajos kapedan…

Koçi Petriti

Prush nëpër shekuj (1979)

————

VARIANT:
Baladë për Kajo Babjenin (Balada; 2010)

Advertisements