Balladë për Sali Butkën

Gjëma e gjaktë që gjet shteg
e që dihet nga u nis
si dëborë e bërë ortek
mal më mal u rrokullis.

Mbi dy supe orteku u ndal,
mbi dy supe orteku u rrit,
njëri ish Gramozi mal,
tjetri ish Saliu komit.

Mali u ngrys e burri u mvrenjt,
kur atdheu mënd u gremis,
mali burrit iu mbështet,
burri e mbajti me kurriz.

Pastaj brofën tok të dy
një me shkëmb, një me dogra,
njëri kish vetëm një sy,
tjetri kish vetëm një krah.

Dhe ky burrë ish Butkalliu,
një rrufe që shëmb çfarë gjen,
që përkrah Themistokliut
nxjerr djaloshin Bellkamen.

Petro Nini fjalëflamuri
e mëkoi me shqipet shkronja,
brenda gjoksit t’atij burri
rrahu krahët veç shqiponja.

Dhe shqiponja iu përgjak,
po s’iu ndal e po s’iu step,
vjershat vjershëtorit plak
gur më gur ia shkroi me sqep…

Kaq herë hasmi rrezikzi
prej Tomorrit në Gramoz
sa e pa me thonjtë e tij
bëri varr dhe u varros…

Bëri varr e s’bëri zë,
u hap shkëmbi e përpiu
se do të ish më keq për të
po ta zinte gjallë Saliu.

Zemrën thonë me kockë e kish,
siç ia deshte mëmëdheu,
edhe syrin që iu prish
pa ilaç n’Evropë e krreu.

Që shenjestrën nëpër të
ta vështronte mirë Saliu,
të dy sytë i bëri një,
bebja përmbi thep i mbiu.

Kurrë, tha plaku Butkalli
dhembjen s’do ta mbyt me gjumë,
gjersa nënia Shqipëri
dhembje ka më shumë se unë…

Koçi Petriti

Prush nëpër shekuj (1979)

————

VARIANT:
Baladë për Sali Butkën (Balada; 2010)

Advertisements