Të shkruaj kot më dridhet dora

Të shkruaj kot më dridhet dora,
ta mbyt dëshirën thyhem “krak”,
e shpirt i ftohtë si dëbora
ma thith gëzimin e më mplak.

Sikush më sheh që qesh nga vreri,
askush s’beson kur them: Po vdes!
Eh, kur do gjej mes këtij ferri
kërcu ku kokën ta mbështes?

I shoh të rinjtë e zjarrtë udhës
që lodhin këmbët ec e jak,
u zbehet qeshja e pastër buzës,
si fletë e prerë mbi zambak.

I shoh dhe vajzat si nemiten,
të zvjerdhura nga ndjenjë e nur,
tregojnë vithet që të shiten,
me shpirt të zbrazur si qivur…

Koçi Petriti

Albumi i lirikave (2004)

————

p.s. Vjersha është pa titull në këtë botim.

Advertisements