Burrë i spërkatur

Kalonte rëndë-rëndë e kthyer prej kullote
e s’e trondisnin fare ndodhitë e kësaj bote
dhe s’donte hiç t’ia dinte kë kishte pro, kë kundër,
as nga asfalti i ashpër ku shkelte përmbi thundër.
Rënduar nga jeshili i ngrënë gjatë ditës,
nga ujët e postafit, nga krundet e koritës,
lëshoi të lëngshmen bajgë në ecje mes asfalti
e një zotniu kostumin e bardhë ia spërkati.
Dhe shau njeriu i nxehur, kur pa në pantallona
ca cirka bajge ngjitur, që shponin si perona
dhe shau e ngriti dorën njësoj si për lanetin,
që para tij kjo qënie s’pat mbyllur rubinetin.
Kur ja, u dha e shoqja me një borset Evrope,
me katër shishe qumshti, si katër sisë lope.
Na, merri, burrë, i tha, të rendim te dyqani
dhe shkonte prapa lopës kostumi dhe fustani.
Harroi burri i spërkatur ankimin kundër bajgës,
e ndillte tavë e kosit, e joshte cipë e ajkës…

Koçi Petriti

Balada (2010)

Advertisements