Pellgu

Pellgu, pinjoll bastard i kënetës,
me dërdëllitje zhabash ushqyer,
nga që kishte veç llum brënda vetes,
nga që s’bëhej dot lumë i rrëmbyer,

një ditë edhe shqiponjës po i thosh
gjithë fodullëk e ligësi:
Ti sa më lart të fluturosh,
aq më e vogël je për sytë e mij.

Unë po të dua edhe malin mund ta tall,
shih si e tregoj përmbys, kokëposht!
Kur dogji dielli, mali mbeti mal,
pellgu u tha si kafkë kali bosh.

Koçi Petriti

Balada (2010)

————

VARIANT:
Pellgu (Prush nëpër shekuj; 1979)

Advertisements