E bukura

I dha krahina ç’djem që pati,
e ç’burrë ish burrë u dha.
E krali pret t’i shkojë te shtrati,
Ajo, E Bukura.

E gdhihen pleqtë shekullorë
nën shekullorin rrap,
që, thonë, i mbledh rrufetë në dorë
e qiellit ia kthen prap.

Kutitë hidhur hapin, mbyllin,
as kundër dot, as pro
e shpata zbret të pyesë myllin
e mylli thotë “Jo!”.

E djepi shkon të pyesë varrin,
e varri thotë “Mos!”,
e shkon i Urti pyet të Marrin,
i Marri dot s’vendos.

E nxijnë mes kësaj mynxyre
të zbardhurit nën rrap,
kur ja, ku shfaqet midis tyre
Ajo e zhduket prap.

U shfaq, i pa, u zhduk papritur,
pastaj u duk sërish,
e pleqtë u shtangën të çuditur
ç’trofe në duar kish.

Na, merreni, u tha, e kalit
i ra e larg u nis
dhe panë ata si koka e kralit
mes tyre u rrokullis.

Koçi Petriti

Balada (2010)

————

VARIANT:
E bukura (Poezi të zgjedhura; 2006)

Advertisements