Baladë për Sali Butkën

Gjëma e gjaktë që gjet shteg
e që dihet nga u nis,
si dëborë e bërë ortek
mal më mal u rrokullis.

Mbi dy supe orteku u ndal,
mbi dy supe orteku u rrit,
njëri ish Gramozi mal,
tjetri ish Saliu komit.

Mali u ngrys e burri u vrenjt
kur atdheu mënd u gremis,
mali burrit iu mbështet,
burri e mbajti me kurriz.

Pastaj brofën tok të dy,
një me shkëmb, një me dogra,
njëri kish vetëm një sy,
tjetri kish vetëm një krah.

Kaq herë hasmi rrezikzi
prej Tomorrit, në Gramoz,
sa e pa, me thonjtë e tij
bëri varr e u varros.

Bëri varr e s’bëri zë,
u hap shkëmbi e përpiu,
se do t’ish më keq për të
po ta zinte gjallë Saliu.

Shpend i gjoksit iu përgjak,
po s’iu ndal e po s’iu step,
vjershat vjershëtorit plak
gur më gur ia shkroi me sqep.

Zemrën, thonë, me kockë e kish,
siç ia deshte mëmëdheu,
sa dhe syrin, që iu shprish,
pa ilaç në Evropë e krreu.

Që shënjestrën nëpër të
ta vështronte mirë Saliu,
të dy sytë i bëri një,
bebja përmbi thep i mbiu.

Kurrë, tha plaku Butkalli,
dhëmbjen s’do ta mbyt me gjumë,
gjersa Nënia Shqipëri
dhëmbje ka më shumë se unë.

Koçi Petriti

Balada (2010)

————

VARIANT:
Balladë për Sali Butkën (Prush nëpër shekuj; 1979)

Advertisements