Baladë për Themistokli Gërmenjin

Trembëdhjetë Bilbilenjtë
vanë vetë në litar
kush kërkoi krëhër të krihej,
kush të dridhte një cigar.

Kush kërkoi të hidhte valle,
kush mbi shkëmb si shkëmbi ngriu
rritej nga çdo vdekje e madhe
kapedan Themistokliu.

Dhe në prag të pushkatimit
shkreu tri thënie të mëdha,
tri rrufe të një gjëmimi,
sa për njëqindmijë dogra.

Dhe kërkoi t’ia zgjidhnin sytë,
sytë e lidhur me shami,
të vështronte drejt në tytë
si po nisej vdekja e tij.

Dhe kërkoi të thosh një këngë,
shqiptarisht i veshur krejt,
dhe këndoi siç këndon rëndë
veç një burrë në njëqind vjet.

Dhe kërkoi së treti i qetë,
që xhelatit pushkatar,
t’ia jepte shenjën vetë,
vetë t’i bërtiste: “Zjarr!”

Dhe u drodh njeriu dhe guri
nën tri shkrepjet e mëdha,
se gjëmimi i atij burri
ish sa njëqind mijë dogra…

Koçi Petriti

Lulëkuqet (1985)

————

VARIANTE:
Baladë për Themistokli Gërmenjin (Balada; 2010)
Balladë për Themistokli Gërmenjin (Prush nëpër shekuj; 1979)

Advertisements