Dashuria

Ish një vajzë
                   e ish një djalë,
vajza e donte
                     e djali e donte,
po Shkumbini i madh me valë
i kish ndarë e s’i bashkonte.

Dhe thërrisnin:
                        Ooo, të dua,
po kjo klithmë e lashtë fjalësh
u dëgjohej:
                Jooo, s’të dua,
nëpër thashetheme valësh.

E humbisnin të dy shpresën
e shpresonin prapë më tepër,
siç humbet dhe dita vesën
dhe e gjen mëngjesin tjetër.

Ooo, të dua, nisej fjala,
Joo, s’të dua mbërrinte zallit,
vajza thosh:
                     Më piftë vala,
të përpiftë,
                   i bëhej djalit.

Hidhnin fjalën ta kalonin,
shprishej porsi plisi i kumit,
hidhnin gurin të qëllonin,
binte mu në mes të lumit.

Bot me buzë, bot me duar
afër dallgës së ndërkryer,
herë për jetë dashuruar,
herë për vdekje të zhgënjyer.

Një çast lumi
                      s’ish më lumë
mes dy maleve të mallit,
dhe u bind e ra në gjumë
dhe u hap e fjeti zallit.

Rendi vajza e
                    rendi djali
sa u ngrit një erë e marrë
që rrëzoi shkëmbinj nga mali
e një breshër që s’ish parë.

Zgjatën duar,
                  vunë gurë,
shtruan dhembjet që nuk thuhen
gjer mbi lumë u bënë urë
të kalojnë ata që duhen…

Ish një vajzë e ish një djalë…

Koçi Petriti

Të dashurova ty (1988)

————

VARIANT:
Balada e urës (Poezi të zgjedhura; 2006)

Advertisements