Motiv i shkuar

Pas frëngjive u treta, pas qelqeve plasa,
rrëmbemë, o bir trimi, larg nën sqetull!

Kam parmendën mbrehur dhe më ze bar brazda,
moj shamigremisura mbi vetull!

Brazdën ta hap unë, vetëm bëmë grua,
nënë trimash bëmë!

Ty po të rrëmbeva, më gjakosen duajt,
shtrirë si jetima nëpër lëmë!

Krah të bëhem unë, sy të bëhem unë,
o bir trimi, nëpër natë e mjegull!

Ti me sy ruan djepin, me duar qep gunën,
moj shamigremisura mbi vetull!

Shtatin ma djeg mosha, moshën ma djeg vreri,
o bir trimi, merrmë larg nën sqetull!

Hajd, pra, shkojmë e rrimë atje ku rri skifteri,
moj shamigremisura mbi vetull!

Koçi Petriti

Firma e popullit tim (1974)

————

VARIANT:
Shamigremisura mbi vetull (Lirika; 2010)

Advertisements