Golomarja

(baladë)

Gruaja e Sofrës
nëna Golomare
ish dhe shtëpiake,
ish dhe luftëtare.

Gatuante te Sofra
bukë për burra moti
dhe të ngrohtë ua çonte
djemve te Sopoti.

Foshnjën lidhur djepit
hidhte përmbi shpinë,
gjurmën buzë shkrepit,
hijen mbi greminë.

Turravrap kalonte
nëpër pyje e vreshta
një hap te Pishkashi,
tjetrin te Bërzeshta.

Një hap te Bërzeshta,
tjetrin te Sopoti,
Mar’ e Gjorgj Golemit,
bijë kryezoti.

Foshnja desh të pinte,
nëna s’desh të ndalte,
gjiri i bardhë i rridhte
porsi hoje mjalte.

Gjin’ e madh kalimthi
hidhte sipër supit
dhe vraponte lehtë
me vrap të pëllumbit…

Foshnja e etur udhës
kapte gjin’ e butë
dhe në vrap e sipër
pinte zëra lufte.

Dhe këndonte ëmbël
nëna Golomare
që ish dhe amvisë,
edhe luftëtare.

“Në më lodhtë lodhja,”
foshnjës i thosh Mara
“ngrehu ti mbi djepe
Shtymë me të qara!

Shtymë, ti, me doçka,
shtymë me të qara,
që përjetë nëna
të vrapojë përpara!…”

Dhe rend nëpër kohra
nëna Golomare
e na sjell mbi sofra
këngën sopotare…

* Sofra e Skënderbeut në Pishkash.

Koçi Petriti

Firma e popullit tim (1974)

————

VARIANT:
Legjenda e nënës (Prush nëpër shekuj; 1979)

Advertisements