Na zuri muzgu përmbi kodër…

(Motive studenteske)

Na zuri muzgu përmbi kodër,
Në një bot’ ëndrash dhe përrallash,
Mes shelgjesh dridhet gjol’ i vogël,
Si sy i bukur mes qepallash.

Ne heshtim, heshtim. Pa kujtuar
Një shpend na brofi pas një drize,
E trëmbur ti m’i hodhe duart,
Pa ndënjëm ngjitur… e s’lëvize.

Hutimi ynë aqë zgjati
Sa zgjat një vetëtimë vere,
Dhe ti, nga turpi dhe inati,
Ja hodhe fajin asaj ferre.

Koçi Petriti

Përsëri në udhë (1967)

————

p.s. Vjersha është pa titull në këtë botim, por pjesë e bllokut “Motive studenteske”.

VARIANT:
Na zuri muzgu përmbi kodër (Lirika; 2010)

Advertisements