Balladë liqeni

Në mëngën e gjolit, ku çurkat shpesh vijnë,
Marr grepin dhe pres fillikat,
Kur hëna, si vajzë që fsheh me turp gjinë,
Lëndinat me nur i spërkat.

Kli-kliu, kli-kliu me britma të brishta
Këndesk’ e kënetës këlthet,
Kalimthi shkund shapka shavar e shelgjishta,
Un’ ëndrat mes ujrave tret.

Sa bëj të hedh grepin mbi faqen e pastërt,
Nën këmbët e mbledhura shuk,
Si rruspë përralle me trup t’alabastërt,
M’u çfaq një fytyr’ e m’u zhduk.

Nuk bën të dremitësh mbi brigjet e jetës
Më shkundi prej fundesh një zë.
Kli-kliu këlthiti këndesk’ e kënetës,
Veç rruspa e bukur s’erdh më.

Koçi Petriti

Përsëri në udhë (1967)

————

VARIANT:
Këndeska e kënetës këlthet (Quaderni; 2015)

Advertisements