Në dhomë

Trokite ti në derën e beqarit
Dhe hyre kokëulur, ndezur prush,
Un’ rrija dhe lexoja pranë zjarrit,
Pa pritur sot vizitë nga ndokush…

Ç’kërkon tek unë ti, moj, fqinja ime,
Që hesht e s’ulesh, hesht e s’ikën dot?
Kuptoj se ke një lëmsh me ngashërime,
Po gjuha jote e lidhur s’po m’i thotë.

Un’ dorën bëj ta zgjat, të të prek lehtë,
Po prap e fsheh dhe pres ashtu pa zë;
Kam frikë mos të fshik në ndonjë fletë,
Kam frikë se më shkon e s’më vjen më.

Koçi Petriti

Lirikat e majit (1962)