Natë

Ra nata mbi barin e larë nga shiu,
Antenat i nxjerr çdo kërmill,
Nër mezhda, ku s’ndihen më hapa njeriu,
Këndon karkaleci jeshil.

Kallinjtë me krahë i çik lakuriqka
Mustaqja mustaqen e shtyn,
Mbleth bishtin nën plisa hardhucka me pika,
Insekt’ i padukshëm pështyn.

Dhe plepat, pojakët e natës, nër fusha,
Diç flasin e shpohen me sqetull,
Në djepin e pellgut lëkundet Harusha,
Me hënën e ngrënë si vetull.

Nën dritat si yje po çlodhen katundet,
Atdheu buz qesh nëpër ëndër;
Mbi flokët e tija derdh ves’ e parfume,
Një dor’ e padukëshme, ëmbël.

Koçi Petriti

Lirikat e majit (1962)

————

VARIANT:
Natë (Poezi të zgjedhura; 2006)

Advertisements