Prollogu

Me mall e vështroj botën. Është maj,
Tërfili sjell aroma dhe të deh;
Në zemër kam gëzimin që ta ndaj,
Si llavë vullkanike ta shpërthej.

Kam parë pak në jetë, jam i ri,
Mustaqes brisk i vura tashti shpejt,
Po dua ta hedh hapin si veri,
Me prushin tim dhe hekurin ta tret.

S’kam ardhur si jetim të mbledh lëmoshë,
Nër shenjtër belbëzimin tim s’e shes,
Keqardhje s’do të ble ndër fatmiroshë
Përgjysmë këngën kurrë s’do ta pres.

Sot vitet që m’ushqyen krenarinë,
Filluan të kërkojnë llogari.
Dëshirat e të tjerve më përpijnë:
“Na thur atë që dot s’e tha njeri.”

Me sa guxim, me sa guxim po flas,
Po faljani të riut që do krahë!
Dikush do të verë buzën fort në gas,
Kritiku s’do ta ketë zor të shajë.

Koçi Petriti

Lirikat e majit (1962)

————

VARIANT:
Prolog (Lirikat e majit; 2002)

Advertisements