Baladë suljote

Gjoli me gishtrinjtë e erës
Leshrat-dallgë ngreh.
Dallg’ e gjolit, mes poterës,
Rreh kalanë, rreh…

Brënda lidhur këmb’ e kokë
Hesht rrebeli, hesht.
Pasha e mban nën gjunjë e thotë:
E, s’të shtyp si plesht?

Katër hapa larg prej robit
Pret sulioti tjetër,
Katër sy si penda e korbit
Nxijnë e shkrepin egër.

Katër vetulla të trasha
Prekin dy qeleshe.
“Shkele hasmin!- e ysht pasha.
Heshtje, prapë heshtje.

Krreja sytë, ngulja shpatën,
Hë, se s’pres më gjatë!
Ky ta vodhi gruan natën,
Ky ta vrau tët atë…

S’dua!-klith sulioti prerë.
Zgjidhe, në ta mban!
Ja, ta ther, ja, të më therë,
Veç në sheshmejdan.

Gjoli me gishtrinjtë e erës
Leshrat-dallgë ngreh,
Vreri i gjolit, mes poterës,
Rreh kalanë, rreh…

Koçi Petriti

Balada (2010)

————

VARIANT:
Këngë suljote (Përsëri në udhë; 1967)

Advertisements